Të abortosh fëmijën apo të rritesh bashkë me të?
Shumica prej nesh njohin dikë që është shtatzënë dhe ende vazhdon të qëndrojë në shkollë ose dikë që e ka braktisur shkollën sapo është bërë prind. Edhe pse shumë njerëz në shoqërinë e ditëve të sotme bien dakort se edhe adoleshentët mund të bëhën prindër të mirë. Madje theksojnë se i vetmi avantazh është se ata mund të ‘rriten’ me fëmijët e tyre. Sakaq shumë të tjerë shprehen se të jesh prind i ri është e vështirë por të kesh një partner ose një familje mbështetëse do t’i bënte gjërat më të lehta.
Linda një vajzë nga Burreli sot 23 vjeç tregon për Jotabu një histori që ka ndodhur me mikeshën e saj kur ishin adoleshente. Ëndërronin të studionin bashkë sespse ishim shumë të lidhura por shtatzënia në një kohë të hershme i çoi në drejtime të ndryshme.
Intervista për Jotabu:
Çfarë mendon për shtatzëninë në adoleshencë?
Oh është barrë e madhe, barrë shumë e madhe për një adoleshent. Dua të them se në shkollën time kur isha 15 ose 16 vjeç, rreth 50-60 për qind e vajzave e lanë shkollën se mbetën shtatzënë. Shumë prej atyre që shoh, tani kanë fëmijë ose janë të martuara, ndryshe nga unë. Edhe pse jemi 23 vjeç disa prej tyre i kanë fëmijët për t’i futur në shkollë. Është e çuditshme, nuk pajtohem me një fakt të tillë.
Cilat janë pikëpamjet tuaja për nënat adoleshente?
Nënë adoleshente, epo unë nuk jam një tifoze e madhe për këtë më duhet ta pranoj, sepse të gjithë kemi marrë informacione seksuale në shkollë, por është qesharake që disa njerëz në fakt zgjodhën t’i merrnin këshillat dhe disa të tjerë jo.
Si mund ta heqësh nga mendja se edhe mund të mbetesh shtatzënë, të marrëshin sëmundje të ndryshme. Ne ishim të gjithë në një klasë por disa na kanë habitur me atë çfarë ndodhi me ta. S’e di nëse kanë arsye apo jo, si mund të jenë kaq të shkujdesur sa të mbesin shtatzënë dhe të mos marrin parasysh rreziqet që mund t’ju vijnë nga pas.
Kur thua që të kanë habitur për çfarë e ke fjalën?
Po tregoj në shembull konkret. Kur isha në shkollë, 15 vjeç, në klasë isha shumë e lidhur dhe e afërt me shoqen time të ngushtë por papritur kuptova se mbeti shtatzënë. Realisht u mërzita shumë sepse gjithmonë kisha menduar se të dyja do të shkonim në universitet së bashku. Asaj i ndodhi shtatzania, dhe jeta iu lëkund duke marrë drejtime të tjera, ndryshe nga të miat.
Me të vërtetë e desha dhe u mërzita. Unë nuk dua të duket sikur po them që fëmijët janë të këqinj dhe nuk duhen bërë, dua të them se nuk ka asgjë të bëhesh me fëmijë dhe të krijosh familje. Por s’ishte koha e përshtatshme.
Ndoshta unë nuk mendoja se ishte koha e përshtatshme për të, por me aq sa kuptova ajo nuk mbeti shtatzënë rastësisht. Një arsye për shtatzëninë ndoshta ishte fakti se ndihej e vetmuar dhe kishte nevojë për dikë për të cilin të kujdesej. Ajo kishte nevojë për këtë dashuri pa kushte.
Çfarë ndodhi me të?
U bë nënë dhe vazhdoi të kujdesej për fëmijën. E la shkollën dhe jetën që kishte më parë. Nisi të jetojë me djalin që e la shtatzënë dhe nuk e di nëse vërtët ishte e lumtur apo jo sepse unë vazhdova universitetin më pas dhe s’u takuam.

Leave a Reply