Pse po më vonohet puberteti?
Kisha dy pyetje për mjekun. Së pari, pse po më vonohet puberteti edhe pse jam 14 vjeç. Dhe së dyti, doja të dija pse njëra anë e gjoksit është më e ngritur? E kam të lindur këtë problem?
Përgjigjja nga mjeku androlog Evin Dani
Së pari, duhet të dimë se puberteti i vonuar ndahet në dy grupe:
- Pubertet i vonuar i vërtetë
- Pubertet i vonuar konstitucional
Puberteti i vonuar i vërtetë ka të bëjë me një patologji serioze të gjendrave hormonale si pasojë e mungesës së sekretimit të testosteronit. Është kryesisht i lindur. Me pasoja serioze në zhvillimin e djalit. Do të ketë mungesë të shenjave sekondare seksuale, moszhvillimin e organeve seksuale, si dhe uljen e aktivitetit seksual. Në këto raste mundësia për infertilitet është shumë e madhe. Për fat të mirë, këto raste janë të pakta!
Puberteti i vonuar konstitucional ka të bëjë me rastet kur djali në prag puberteti ka vonesa të shenjave sekondare seksuale dhe mund të dallohet nga shokët e moshës.
Por me kalimin e viteve ai arrin shokët me dukjen e tij, rritet në shtat, në organet seksuale dhe nuk ka asnjë problematikë. Në këto raste ka të bëjë trashëgimia apo mënyra e rritjes së tij në prag puberteti: ushqimi i pakët, mosrritja në kolektivitet. Sidoqoftë, është një rast që duhet vlerësuar nga mjeku me praninë e pacientit.
Lidhur me pyetjen e dytë, personi nuk është shumë i qartë në artikulimin e problematikës. Megjithatë, për të hequr dyshimet e tij, është mirë t’i drejtohet drejtpërdrejt mjekut./ JoTabu.al

Leave a Reply