Artistët Krijojnë së Bashku
Center ACT for SOCIETY dhe MasterPeace Albania prezantuan projektin e ri ACT – Artistët Krijojnë së Bashku. Projekti ka si qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të Kombeve të Bashkuara nëpërmjet artit dhe kulturës.
Drejtoresha e Qendrës ACT for SOCIETY, Armela Pengili, shpjegoi se me anë të këtij projekti do të zhvillohen 6 koncerte, 5 konferenca, 120 video-rrëfime njerëzish frymëzuese dhe 6 murale, i pari prej të cilëve u pikturua nga pjesëmarrësit gjatë aktivitetit.
Pjesë e Panelit në lançimin e projektit ACT ishin Z. Armin Čerkez, drejtor rajonal i MasterPeace, Znj. Petra Heylen, Zv. Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Znj. Fioralba Shkodra, shefe e Zyrës së Koordinatorit Rezident të OKB-së në Shqipëri, Znj. Lori Haxhiaj, drejtore e Shërbimit Kombëtar për Rininë, znj. Aspasjana Kërxhalli, drejtore e Rinisë, Bashkia Tiranë, si dhe Znj. Aulona Musta, gazetare. Të gjithë pjesëtarët e panelit folën për rëndësinë e SDG-ve dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në projekte ku në fokus është arti dhe kultura.
Në fund të projektit, muralisti Franko Dine së bashku më të rinjtë e Liceu Artistik Jordan Misja dhe pjesëmarrësit e tjerë pikturuan muralin e parë të projektit ACT.
Forma më e bukur për t’i dhënë vlerë çdo mesazhi është sigurisht arti dhe kultura. Dhe të rinjtë shqiptarë, nëpërmjet këtij projekti, do të mund të përçojnë mesazhe dhe vlera brenda dhe jashtë kufijve.

Leave a Reply