Zëri i të Rinjve: Njihuni me Dorjan Beluli
Dorjan Beluli vazhdon studimet për Filozofi. I riu nga Kukësi është përfshirë në shumë nisma humanitare dhe organizata jofitimprurëse, fillimisht në qytetin e lindjes, e tashmë në Tiranë me rrjetin Y-PEER, duke ofruar kontributin e tij si vullnetar.
Si një busull që të drejton në rrugën e duhur drejt së ardhmes, vullnetarizmin ai e këshillon për të gjithë të rinjtë.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga Shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Dorjani flet më shumë për përfshirjen e tij në shoqërinë civile si vullnetar, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet të bëhet për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Mund të më flasësh pak për veten? (Mosha, arsimimi, eksperienca pune apo përfshirja në grupet vullnetare).
Jam Dorjan Beluli, 18 vjeç. Studioj në Fakultetin e Shkencave Sociale, Dega Filozofi. Kam punuar në media, më saktësisht në radio dhe në televizion. Jam përfshirë edhe në projektin “Smile Albania”, për mikpritjen e turistëve dhe informacion mbi pikat turistike. Kam qenë pjesë e disa organizatave në Kukës, si Qendra për Progres Rinor, Këshilli Rajonal Rinor Kukës, Kryqi i Kuq etj. Pasi u shkëputa nga Kukësi, për arsye studimi, dhe u vendosa në Tiranë, ka më shumë se 1 vit që angazhohem me rrjetin Y-PEER. Kam gjetur shumë shok të rinj, me pak fjalë më ka ndihmuar të zgjeroj shoqërinë time, më ka ndihmuar në formimin e karakterit tim.
Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Vullnetarizmin ose vullnetar në përgjithësi e konsideroj si një aktivitet ku një individ ose një grup ofron shërbime jo për përfitime financiare.
Të jesh vullnetar…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Te jesh vullnetar është diçka shumë e bukur, që shumë pak persona e bëjnë, po shpresoj që të rritet vullnetarizmi, sepse ndihmon që të njohësh miq të rinj, që ndoshta ti një ditë do kesh nevojë për ta dhe do të të ndihmojnë për një problem. Unë mund ta përshkruaj si një nga eksperiencat më të bukura të jetës.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetar: vullnetarizmi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Në fakt, për mua të dyja kanë rëndësi, janë në ndërthurje me njëra-tjetrën: eksperienca që ti fiton do ngelet gjatë dhe do të nevojitet diku, por dhe trajnimet kanë rëndësinë e tyre, sepse të ndihmojnë të mësosh diçka të re rreth temave që nuk ke pasur informacione.
Mendon se ia vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetar? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë? Çfarë të ka pëlqyer dhe jo nga ajo?
Normale që ia ka vlejtur, përderisa unë e kam vazhduar dhe do e vazhdoj. Shpërblyese nuk do të thotë që ti të përfitosh nga ana financiare, por ti fiton njohuri të shumta, që s’mund t’i fitosh. Të ndihmon që të formosh një karakter ndryshe, madje të ndryshojnë dhe mendimet e gabuara, mund të themi të fusin në rrugën e duhur.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Po, ka shumë, por më e veçanta për mendimin tim është Y-PEER. Ato i ndihmojnë shumë të rinjtë në idetë apo mendimet që kanë, aktivitetet që bëjnë iu përshtaten dhe janë për të rinjtë, gjithashtu dhe mënyra se si i presin të rinjtë.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Po, i inkurajoj dhe iu bëj thirrje që të marrin pjesë në vullnetarizëm, sepse, siç e kam përmendur dhe më sipër, do i ndihmojë për të ardhmen. Këshilla ime do ishte që kohën e lirë të tyre ta shfrytëzojnë duke u marrë me vullnetarizëm, duke bërë diçka pozitive për veten dhe shoqërinë.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Që të informojnë më shumë të rinjtë në lidhje me vullnetarizmin, sepse pjesa më e madhe e te rinjve nuk e dinë çdo të thotë vullnetarizëm apo përse ekziston vullnetarizmi.
Vullnetarizmi duhet futur si një kulturë në shkollat shqiptare, sepse nuk e kanë.

Leave a Reply