OKB ngre alarmin për dhunën seksuale ndaj të miturve në Shqipëri
Të martën, dy institucionet ndërkombëtare në mbrojtje të së drejtave të njeriut kanë reaguar në lidhje me abuzimin seksual të kryer kundrejt një të miture 15-vjeçare, nga ish-roja i njërës prej shkollave në zonën e Babrrusë, në periferi të Tiranës.
Në një reagim të përbashkët, UNICEF Albania dhe UN Women e cilësojnë krimin e rëndë ndaj të miturës 15-vjeçare, që u përdhunua nga roja i shkollës dhe tre të rinj të tjerë, si “një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe sjell ndikim shkatërrues afatgjatë mbi viktimat dhe vendit ku jetojnë.”
“Dhuna seksuale e kryer ndaj kujtdo është një krim, ne jemi veçanërisht të shqetësuar për intensitetin me të cilin prek gratë, vajzat e reja dhe fëmijët. Kjo përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe sjell ndikim shkatërrues afatgjatë mbi viktimat dhe vendit ku jetojnë”, tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp UN Women dhe UNICEF, ndërsa theksuan se “gratë dhe vajzat duhet të ndjehen të sigurta në hapësirat ku mësojnë, jetojnë dhe luajnë.”
UNICEF dhe UN WOMEN i bënë thirrje medias që ta përdorë fuqinë e saj për të mbështetur plotësisht të mbijetuarat dhe jo autorët e krimit dukë bërë publike detajë që zbulojnë identitetin e viktimave.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Informacioni që ndahet me publikun duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale”, shkruan stafi i UN WOMEN, duke nënvizuar se shoqëria nuk duhet të bëjë një sy të verbër ndaj fenomeneve të abuzimit.
Ato i kanë bërë gjithashtu thirrje institucioneve ligjzbatuese që të hetohen këto krime dhe mos të tolerohet në asnjë mënyrë asnjë lloj abuzimi apo ngacmimi.

Leave a Reply