SIMPTOMAT E HPV-SË PËR TË CILAT DUHET TË JENË TË VETËDIJSHME TË GJITHA GRATË
Përshtati në shqip për JoTabu: Anjela Hajdari
Papillomavirusi i njeriut (HPV) është infeksioni më i zakonshëm seksualisht i transmetueshëm (IST). Në një analizë të vitit 2020, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) vlerësuan se 42.5 milionë amerikanë kishin HPV, me 13 milionë njerëz të infektuar vetëm në vitin 2020.
Disa lloje të infeksionit HPV mund të konsiderohen të rrezikshëm, pasi ato mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës dhe lloje të tjera kanceri nëse nuk trajtohen. Fatkeqësisht, shumë lloje të HPV-së nuk kanë asnjë simptomë, që do të thotë se ka të ngjarë të mos e dini se e keni nëse nuk testoheni.
Health foli me Christine Greves, një gjinekologe në qendrën për obstetrikë dhe gjinekologji në Orlando Health në Florida, për të mësuar më shumë rreth simptomave të mundshme të HPV-së dhe sa shpesh duhet të testoheni—kështu që të kapni me kohë llojet pa simptoma.
Cilat janë simptomat e mundshme të HPV?
Shumica e njerëzve me HPV nuk shfaqin simptoma, kështu që ata shpesh nuk e kanë idenë se janë të infektuar. Por sipas CDC, disa lloje jo kanceroze të HPV-së mund të shkaktojnë lytha në disa pjesë të trupit.
Disa zona që këto lytha mund të shfaqen përfshijnë organet gjenitale, anusin, gojën, fytin ose zona si duart dhe këmbët tuaja. Sipas Dr. Greves, lythat në organet tuaja gjenitale mund të transmetohen seksualisht dhe mund të shfaqen si lezione të sheshta, gunga të vogla si lulelakër, ose zgjatime të vogla si kërcell. Lythat në vende të tjera përveç organeve gjenitale, si duart dhe këmbët, nuk mund të transmetohen seksualisht.
Pavarësisht vendndodhjes së lythave, llojet e HPV që shkaktojnë simptoma të lythave konsiderohen me rrezik të ulët dhe nuk shkaktojnë kancer, sipas CDC. Llojet me rrezik të lartë të HPV-së nuk shkaktojnë simptoma, por ato mund të çojnë në kancer të qafës së mitrës nëse ka një infeksion afatgjatë. Më rrallë, këto lloje mund të shkaktojnë gjithashtu kancer të vulvës, vaginës, penisit, anusit ose fytit. Ky rrezik i kancerit është arsyeja pse është e rëndësishme të testohen dhe të merren masa paraprake kundër HPV.
Cilat lloje të HPV janë të rrezikshme?
Në shumicën e rasteve, sistemi juaj imunitar mund të luftojë një infeksion HPV dhe t’ju pengojë të zhvilloni simptoma ose kushte shëndetësore. Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit (NCI), lythat nga infeksioni jo-kancerogjen HPV janë të rralla, jo të dëmshme dhe shkaktohen kryesisht nga tipet HPV 6 dhe 11. Ndërkohë, shumica e kancereve të lidhura me HPV shkaktohen nga tipet 16 dhe 18.
Sa shpesh duhet të testoheni?
Kancerit të qafës së mitrës mund të duhen disa vite për t’u zhvilluar pas një infeksioni HPV, sipas NCI. Kjo do të thotë se nëse testoheni rregullisht, mund të trajtoheni për HPV përpara se virusi të shkaktojë kancer, tha Dr. Greves.
Një nga testet për kancerin e qafës së mitrës përfshin testin Pap, i cili teston qelizat nga qafa e mitrës për të parë nëse ato janë qeliza kanceroze ose në rrezik për t’u bërë kancerogjene. Megjithatë, ky shqyrtim nuk tregon shkakun e kancerit të qafës së mitrës; një Pap-test nuk mund të zbulojë HPV-në.
Në vend të kësaj, mjekët përdorin një test HPV për të treguar nëse një person ka HPV me rrezik të lartë dhe është në rrezik për zhvillimin e kancerit, sipas MedlinePlus.
Ky test mund të bëhet në të njëjtën kohë me Pap-testin.
Që nga viti 2018, Taskforca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA (USPTF) rekomandon që shumica e femrave midis 21 dhe 65 vjeç të bëjnë Pap test të paktën çdo tre vjet, në varësi të faktit nëse kanë pasur apo jo një Pap-test jonormal të fundit me HPV. Një mjek më pas mund të përcaktojë një plan specifik për ato me HPV aktiv. Femrat të moshës 30 deri në 65 vjeç duhet të vazhdojnë të bëjnë Pap-testin çdo tre vjet ose të zgjedhin testimin e përbashkët (pap test me HPV testim) çdo pesë vjet. Megjithatë, femrat nën 21 vjeç, mbi 65 vjeç ose të cilëve u është hequr qafa e mitrës me kirurgji nuk duhet të testohen.
Nuk ka kurë për HPV. Sidoqoftë, nëse rezultatet tuaja të Pap-it janë jonormale, mjeku do të bëjë testime të mëtejshme dhe mund të heqë qelizat prekanceroze nga qafa e mitrës, sipas CDC. Ka edhe trajtime për problemet e tjera që mund të shkaktojë HPV, të tilla si medikamente lokale për lythat.
Si mund të mbroni veten kundër HPV?
Ju mund të mbroni veten kundër disa llojeve të HPV duke marrë vaksinën HPV. CDC rekomandon që njerëzit e të gjitha gjinive të vaksinohen deri në moshën 11 ose 12 vjeç, megjithëse vaksina mund të jepet që në moshën 9 vjeç. Ndërkohë, nëse nuk e keni marrë vaksinën dhe jeni midis 27 dhe 45 vjeç, bisedoni me mjekun nëse duhet ta merrni vaksinën.
Burimi: Health
Leave a Reply