Problemet më të shpeshta të stomakut te gratë shtatzëna
Mjekja gastrohepatologe Valdete Malaj
Cilat janë problemet më të shpeshta të stomakut te gratë shtatzëna?
Te gratë shtatzëna kemi dy lloje kategorish për sa i përket problemeve të stomakut.
Në kategorinë e parë bëjnë pjesë ato gra që kanë pasur probleme me stomakun edhe para shtatzënisë. Këto probleme riakutizohen apo shtohen gjatë shtatzënisë. Domethënë problemet shfaqen siç kanë qenë më përpara por në forma edhe më të shprehura.
Ndërsa në kategorinë tjetër bëjnë pjesë ato gra shtatzëna tek të cilat problemet me stomakun shfaqen për herë të parë gjatë shtazënisë.
Kryesisht në muajt e parë, grate shtatzëna mund të kenë të vjella, hiperaciditet, simptoma dispeptike siç i themi ne. Gjatë muajve të fundit vihen re kryesisht simptoma të refluksit, kjo pasi me rritjen e përmasave të barkut, ngrihet lart diafragma, shtypet stomaku dhe ndodh proçesi i refluksit.
Refluksi mund të ndodhë edhe tek ato gra që nuk kanë pasur problem të tilla para shtazënisë edhe tek ato gra që kanë pasur probleme para shtatzënisë.
Gjithashtu, në muajt e fundit të shtatzënisë mund të vihen re apo të kemi zbulime të problemeve të gurëve në tëmth. Kjo sepse, si pasojë e rritjes së barkut, shtypet kolecista (një qese e zgjatur membranore ku grumbullohet lëngu biliar)dhe shpeshherë grate shtatzëna mund të kenë dhimbje të forta abdominale. Pas një ekazaminimi të bërë (eko barku), vihet re që këto gra mund të kenë gurë në tëmth.
Të vjellat janë një nga simptomat më karakteristike të shtatzënisë. Por ku ndryshojnë të vjellat gjatë kësaj periudhe me ato për shkaqe të tjera?
Zakonisht të vjellat gjatë shtatzënisë janë të vjella që ndodhin herët në mëngjes. Sigurisht kjo mund të ndryshojë nga një grua në një tjetër por kryesisht të vjellat e shtazënisë ndodhin në mëngjes. Ndërsa të vjellat për arsye të tjera mund të ndodhin gjatë gjithë ditës, mund të kenë lidhje me ushqimin, me probleme të stomakut etj.
Çfarë kujdesi duhet të tregojnë gratë shtatzëna në lidhje me ushqyerjen?
Gratë shtatzëna duhet të tregojnë shumë kujdes për sa i përket ushqyerjes sepse ato marrin ushqim edhe për vete por edhe për zhvillimin e fetusit. Kështu, ushqimet sigurisht që duhet të jenë të pasura me kaloritë e duhura, me përbërës të tjerë të rëndësishmë ushqimor si vitamina, minerale, proteina e të tjera. Sigurisht gjatë shtatzënisë shtohet edhe si volum ngrënia. Rekomandohet që gratë shtatzëna të hanë nga pak dhe shpesh, 5 – 6 herë në ditë. Kjo edhe për të plotësuar nevojat e organizmit por edhe në mënyrë që të thithet apo largohet hiperaciditeti që krijohet në disa raste.
A ka ndonjë ushqim që është i ndaluar gjatë periudhës së shtatzënisë?
Jo, nuk ka ndonjë ushqim që është i ndalouar gjatë shtazënisë. Kjo me përjashtim të ushqimeve ndaj të cilave gratë mund të jenë alergjike apo ushqime ndaj të cilave gratë shtatzëna mund të kenë krijuar neveri. Sepse kjo e fundit mund të ndodhë me disa ushqime gjatë shtatzënisë. E nëse gratë shtatzëna kanë neveri ndaj një ushqimi nuk është e nevojshme ta detyrojnë veten për ta konsumuar atë ushqim. Nëse është një ushqim i rëndësishëm i dietës ushqimore për një grua shtatzënë, mund ta zëvendësojnë atë me një ushqim me veti të ngjashme të lëndëve ushqyese. Sigurisht është e ndaluar konsumimi i alkoolit dhe duhanit. Gjithashtu duhet treguar shumë kujdes dhe në përdorimin e ilaçeve të ndryshme, sidomos në tremujorin e parë. Por këto janë dhe probleme që trajtohen nga gjinekologu, me të cilin duhet të konsultohet rregullisht një grua shtatzënë.
Leave a Reply