Përse infertiliteti është në rritje?
Dr. Elton Peci, mjek obstetër-gjinekolog
Një në 8 çifte përjeton vështirësi në arritjen e shtatzënisë dhe sipas studimeve të shumta, kjo shifër është në rritje. Po përse ndodh kjo?
Është fakt që vitet e fundit po konstatohet një reduktim i fertilitetit si tek mashkulli ashtu edhe tek femra. Në bazë të këtij reduktimi janë faktorë socialë dhe mjekësorë. Një ndikim të madh në këtë drejtim ka mosha, stili i jetesës dhe ambienti ku jetojmë. Çiftet kërkojnë të bëhen prindër në një moshë më të madhe. Në dekadat e fundit po shohim një rritje të moshës kur femra bëhet nënë për herë të parë.
Ky fakt tregon tendencën që kanë çiftet për të arritur shtatzëninë në një moshe më të madhe. Tashmë ka gjithnjë e më pak femra që bëhen nëna për herë të parë përpara moshës 25 vjeç dhe gjithnjë e më shumë femra që bëhen nëna për herë të parë pas moshës 34 vjeç. Ky është një trend social dhe shumë kompleks, dhe nuk duhet të kuptohet si thjesht një vendim i vetë femrave për të pasur fëmijë në një moshë më të madhe.
Si meshkujt edhe femrat, gjithnjë e më shumë shpenzojnë më shumë koha për studime apo për karrierë, duke bërë që të krijojnë familje gjithnjë e më vonë. Në eksperiencën time si specialist infertiliteti, më tepër se një vendim personal i femrës, janë kushtet sociale ato që e detyrojnë një femër të ketë fëmijë më vonë. Tashmë femra kërkon një rol gjithnjë e më të madh në shoqëri, kërkesat dhe presioni i shoqërisë janë akoma më të mëdha ndaj femrës, ndërkohë që mbështetja që një femër mund t’i gjejë nëse bëhet nënë në moshë të re është gjithnjë e më e pakët.
Partnerët meshkuj mund të vonojnë vendimin për të pasur fëmijë për shkak se e shohin më pak urgjent këtë vendimmarrje. Por në disa raste, të tillë partnerë e kanë të vështirë të kuptojnë se mund të përballen me vështirësi në momentin kur ata të jenë gati.
Ndërkohë që mosha në të cilën çiftet bëhen prindër është në rritje, ora biologjike nuk ka ndryshuar aspak. Ajo është po e njëjta. Dhe shanset për koncepsion bien në mënyrë të ndjeshme pas moshës 35 vjeç. Në moshën 43 vjeç shanset e një femre të arrijë shtatzëninë me vezët a saj janë rreth 5% dhe në moshën 45 vjeç këto shanse bien në 1%.
Dëgjoj shpesh gjatë praktikës time si mjek specialist se shumë pacientë nuk shqetësohen shumë për shtyrjen e vendimit për t’u bërë nëna pasi ekziston Fertilizimi In Vitro. Është e vërtetë që Fertilizimi in Vitro është një metodë e shkëlqyer për ato që nuk e arrijnë shtatzëninë në mënyrë natyrale, por nuk mund të “zgjidhë” problemin kur kemi vezë më të vjetra në moshë. E thënë ndryshe, Fertilizimi In Vitro nuk mund të ndryshojë cilësinë e vezëve, e cila dihet që është në përpjesëtim të zhdrejtë me moshën e femrës! Kjo do të thotë se sa më o madhe mosha a femrës, aq më e ulët është edhe cilësia e vezëve dhe për rrjedhojë, aq më e pakët është mundësia që ato të japin një embrion të shëndetshëm.
Si rrjedhim, kemi me pak embrione që kanë aftësinë për t’u implantuar në mitër. Nga ana tjetër, me kalimin e viteve, të tjerë faktorë mund të ndërhyjnë apo të shfaqen duke dëmtuar akoma më shumë fertilitetin, si për shembull endometrioza, miomat polipetot
Ambienti ku jetojmë ka ndikimin e tij…
Jo gjithçka lidhet me femrën apo me moshën e femrës. Edhe fertiliteti tek meshkujt reduktohet me kalimin e viteve, ndonëse jo aq sa edhe tek femrat. Disa studime tregojnë një reduktim te cilësisë së spermës tek meshkujt pas moshës 40 vjeç, duke sjellë kështu më shumë mutacione gjenetike tek spermatozoidet. Vlerat e spermiogramës kanë pasur rënie në 40 vitet e fundit, gjë që sugjeron për një ndikim të faktorëve mjedisorë dhe të stilit të jetesës në këtë drejtim. Përdorimi i kompjuterëve, celularëve, rritja e temperaturës lokale në skrotum. ndotja nga degradimi i produkteve të plastikës (të cilat hyjnë në zinxhirin ushqimor) mendohet se kanë një ndikim në këto ndryshime të spermogromës.
Ndikimi i stilit të jetesës
Duhani, alkooli, mbipesha janë kanë një ndikim negativ në vlerat e spermogramës, duke ndikuar kështu edhe ato në rritjen e infertilitetit mashkullor. Në ndryshim nga faktorët ambientalë, të paktën këto janë faktorë që mund të ndryshohen. Ndalimi i alkoolit, duhanit dhe respektimi i një diete të shëndetshme dhe aktiviteti fizik janë parë që restaurojnë vlerat e spermogramës në nivele normale.
Çfarë duhet bërë?
Megjithëse fertiliteti është në rënie, ka gjithashtu një mori alternativash për çiftet infertile. Por të gjitha këto duhet të paraprihen nga konsulta me një mjek gjinekolog specialist në intertilitet atëherë kur shtatzënia vonon. Në këtë mënyrë do të kenë mundësinë për të kryer analizat dhe trajtimet e duhura. Kështu do të shmangin humbjen e kohës që është shumë e rëndësishme në këtë drejtim.

Leave a Reply