Pap testi, rëndësia e kryerjes së ekzaminimit
Ermira Alibashi, Konsultori i Gruas, Qendra Shëndetësore Nr.4, Shkodër
Çfarë është Pap Testi
Pap testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë që bëhet për të parë qelizat e qafës së mitrës. Pap testi është një ekzaminim ë rëndësishëm për një grua, pasi bën të mundur të kapen në faza të hershme tumoret e qafës së mitrës. Ky ekzaminim e merr zanafillën nga mjeku greko-amerikan Georgios papanicoulau, prandaj quhet Testi i Papanicoulau, ose shkurt Pap test. Pap testi mund të kapë kancerin e qafës së mitrës, një kancer i zakonshëm tek gratë, përpara se ai të prekë pjesë të tjera të trupit. Një analizë Pap testi duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kujdesit për shëndetin e një gruaje. Pjesa me e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të shmangen nëse gratë bëjnë Pap testin rregullisht.
Përse është kaq i rëndësishëm Pap Testi
Sepse bërja e rregullt e Pap testit zbulon qelizat jo normale në fazat e hershme pa dhënë akoma kancer të qafës së mitrës. Pjesa me e madhe e rasteve me kancer të qafës së mitrës mund të kapen në kohë atëherë kur trajnimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha.
Të gjitha gratë duhet ta bëjnë Pap Testin?
Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin e tyre. Rekomandohet që të gjitha femrat tre vjet pasi kanë filluar aktivitetin seksual duhet të kryejnë Pap testin rregullisht. Gratë që kanë hequr mitrën duhet të konsultohen me mjekun nëse mund të kryejnë rregullisht Pap testin.
Sa shpesh duhet bërë Pap Testi?
Rekomandimet për kryerjen e Pap testit janë të ndryshme. Për gratë që kanë filluar aktivitetin seksual, apo kane arritur moshën 18 vjec, Pap testi duhet të kryhet rregullisht. Femrat e moshave 21 deri në 49 vjeç, duhet të kryejnë Pap testin çdo vit. Nëse 3 Pap teste rresht dalin normal, atëherë vazhdohet kryerja e Pap testit çdo 3 vjet. Gratë e moshës 50 deri ne 64 vjeç duhet të kryejnë Pap testin cdo 3-5 vjet. Në moshën 65 vjeç ju mund të ndaloni kryerjen e Pap testit vetëm nëse e keni kryer rregullisht atë që në moshën 50 vjeç dhe keni pasur rezultate normale.
Si bëhet Pap Testi?
Pap testi është një test i thjeshtë, i shpejtë, që nuk shkakton dhimbje dhe zgjat vetëm pak minuta. Pap testi mund teë kryhet në një klinikë ose ne spital. Ndërkohë që gruaja shtrihet tek shtrati i vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël, që është posaçërisht për këtë. Materiali më pas dërgohet në laborator për t’u parë nga mjekë specialistë. Përgjigjja merret mbas 2 javësh me një fletë të veçantë, ku bëhen shënimet përkatëse. Aty shënohet nëse materiali është normal apo paraqet ndryshime. Është e rëndësishme për një grua të diskutojë rezultatet e Pap testit të saj me mjekun. Nëse rezultati i Pap testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët, por gruaja duhet të vazhdoje rregullisht bërjen e Pap testit, çdo 1-3 vjet.
Po nëse rezultati i Pap Testit është jo normal
Nëse rezultati i Pap testit del jo normal, do të thotë që disa qeliza jo normale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Është e rëndësishme të mbajmë mend se qelizat jo normale jo gjithmonë bëhen kanceroze. Në disa raste pjesët jo normale duhen hequr që të mos kthehen ne kancer. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshte në spitalin gjinekologjik dhe nuk ka nevojë që të shtroheni. Ky trajnim nuk ndikon në jetën seksuale apo ne mundësinë për të pasur fëmijë. Nëse Pap testi tregon një dyshim apo gjendje jo normale, mjeku mund t’ju kërkojë të përsërisni testin mbas 6 muajsh apo të kryeni ekzaminime të tjera shtesë, si kolposkopi apo biopsi. Biopsia është e vetmja mënyrë e sigurt për të përcaktuar nëse qelizat jo normale kanë lidhje me kancerin.
JoTabu.al



Leave a Reply