Numri i martesave të vajzave në moshë të re, më i lartë se një dekadë më parë
Martesat e hershme në Shqipëri vijojnë të mbeten fenomen shqetësues. Nga Studimi i dytë Demografik dhe Shëndetësor, i prezantuar pak ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (anketa 2017-2018), rezulton se 11% e grave të moshës 20-49 vjeç, janë martuar para moshës 18 vjeç.
Krahasuar me një dekadë më parë, 2008-09, studimi i dytë Demografik dhe Shëndetësor tregon një rritje nga 9% në 11% të përqindjes së grave të moshës 20-49 vjeç që janë martuar para moshës 18 vjeç. Te burrat e moshës 20-49 vjeç, kjo përqindje është rritur nga 1% në 2% për të njëjtën periudhë. Kjo rritje është sidomos e dukshme te gratë me arsimim të ulët; përqindja e martesave para moshës 18% është rritur nga 22% në vitet 2008-09 në 35% në vitet 2017-18 te gratë me arsimim 4-vjeçar ose më të ulët.

Vendin e parë për numrin më të lartë të martesave të vajzave para moshës 18 vjeç e zë Dibra, me 14.4%, ndjekur nga Vlora me 14.2%, Berati me 13.5% dhe Korça me 13.2%.
Vihet re gjithashtu një lidhje e ngushtë mes nivelit të arsimimit të grave dhe martesave në moshë të hershme: 35% e grave me arsimim 4-vjeçar ose më të ulët janë martuar para moshës 18 vjeç, krahasuar me vetëm 3% të grave me universitet ose doktoraturë. Te burrat, këto përqindje janë 7% dhe 2%, respektivisht.
Vihet re një lidhje edhe mes gjendjes socio-ekonomike dhe martesës së hershme, por jo aq e theksuar sa me arsimimin: 15% e grave të moshës 20-49 vjeç me të ardhura më të ulëta janë martuar para moshës 18 vjeç, krahasuar me 7% të grave me të ardhura më të larta.

Studimi i dytë Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (2017-18) ofron të dhëna për modelet demografike, lindshmërinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënës dhe fëmijës, njohuritë mbi HIV dhe AIDS, ushqyerjen, fuqizimin e gruas, faktorët e riskut të lidhur me stilin e jetesës dhe Sëmundjet Jo të Transmetueshme.
Studimi u zbatua nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me mbështetjen teknike dhe financiare të Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran (SDC), Qeverisë Shqiptare, Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas (UN Women)./ JoTabu.al

Leave a Reply