Mykoza vaginale, si ta parandalojmë dhe trajtojmë
Kozeta Mustafaraj, obstetër-gjinekologe
Mykoza vaginale është variant i vaginitit (inflamacioni i vaginës) i karakterizuar nga irritim i vaginës, kruajtje dhe rrjedhje vaginale. Kandidoza prek vaginën dhe hyrjen vulvare. Pothuaj 3 në 4 gra referojnë se kalojnë të paktën një infeksion mykotik gjatë jetës së tyre. Mykoza vaginale nuk konsiderohet si infeksion seksualisht i transmetueshëm, megjithëse funget, që janë shkaktarët e saj, përhapen nëpërmjet rrugëve oro-genitale, për arsyen e thjeshtë që funget gjenden normalisht në vaginë, por rriten dhe japin sëmundje në kushte të caktuara.
Simptomat mund të variojnë nga të lehta në më të shprehura, duke përfshirë:
- Kruajtje dhe irritim të vaginës dhe të hyrjes vulvare.
- Ndjenjë djegieje, sidomos gjatë urinimit dhe gjatë marrëdhënieve seksuale.
- Skuqje dhe ënjtje të vulvës.
- Dhimbje vaginale dhe tensionim të indeve përreth.
- Rrjedhje vaginale e trashë e bardhë, pa erë me pamje si gjizë.
Komplikacionet shihen:
- Në rast të përkeqësimit të shenjave të mëparshme, sikur: skuqje e fortë dhe e shtrirë, ënjtje e shprehur, kruajtje që çon deri në gricje të mukozës (fisura) apo plagë sipërfaqësore.
- Infeksion që përsëriten deri në mbi 4 herë në vit.
- Infeksioni mykotik që shkaktohet nga tjetër lloj veç candida albicans.
- Kur gruaja është shtatzënë
- Nëse vuan nga diabeti i pakontrolluar
- Në rast rënieje të imunitetit nga përdorimi i disa lloj medikamentesh apo infeksioni HIV
Kandidoza është infeksion mykotik i shkaktuar nga kandida, një mikroorganizëm i pranishëm normalisht në vaginë, së bashku me baktere të tjera. Në gjendje natyrale vagina përmban një përzierje të balancuar bakteresh dhe kandida. Laktobacili që jeton normalisht në vaginë, pengon mbërritjen e mykut në vaginë. Nëse prishet balanca e këtyre organizmave në vaginë, do të ketë rritje të mykut.
Shkaktarët më të shpeshtë të prishjes së këtij ambienti janë:
- Përdorimi i antibiotikëve (ulin sasinë e laktobacilit në vaginë dhe prishin pH e saj).
- Shtatzënia dhe çdo gjendje që shoqërohet me shtim të sasisë së estrogjenit në organizëm.
- Përdorimi i kontraceptivëve oralë ose zëvendësuesve hormonalë.
- Diabeti i pakontrolluar
- Sistemi imunitar i dëmtuar, nga përdorimi i kortizonikëve, infeksione të ndryshëm sikur HIV.
- Çdo gjë që ndryshon tipin dhe sasinë e baktereve, që gjenden normalisht në vaginë, sikur dushet vaginale të shpeshta, irritimi nga lubrifikues të ndryshëm.
- Aktiviteti seksual, edhe pse nuk konsiderohet seksualisht e transmetueshme, mund të shërbejë si rrugë hyrëse e kandidës.
Diagnoza vendoset gjatë ekzaminimit pelvik, ku shihen ndryshimet e mukozës vulvare dhe vaginale, prania e sekrecioneve. Nëse infeksioni është i përsëritur, duhet të merret tampon vaginal për të bërë ekzaminimin mikroskopik dhe kulturën e materialit të marrë.
Në rast se partneri ka shqetësime, duhet të mjekohet edhe ai ose marrëdhëniet të jenë të mbrojtura me prezervativ. Shpeshherë mund të përdoren edhe medikamente alternative, si:
- Acidi Borik në formë supozitorësh në format kronike që nuk i përgjigjen terapisë.
Kosi i përdorur për përmbajtjen e laktobacileve orale apo vaginale nga shumë gra, nuk është i aprovuar për përdorim kurues.
Leave a Reply