Lythat gjenitale, komplikacionet gjatë shtatzënisë
Kozeta Mustafaraj, mjeke obstetër – gjinekologe
Lythat gjenitale janë infeksione seksualisht të transmetueshme. Pothuajse gjysma e popullatës seksualisht aktive infektohen gjatë jetës së tyre nga virusi që i shkakton lythat. Ato prekin zakonisht indet e lagështa të zonave gjenitale. Lythat mund të jenë në formën e ngritjeve mishtore të vogla ose të kenë pamje lulelakre të madhësive të ndryshme. Ato shkaktohen nga human papiloma virus HPV e tipeve të ndryshme.
Simptomat
Tek gratë, lythat mund të rriten në vulvë, muret e vaginës, perineum, anus dhe qafën e mitrës. Tek burrat, ato mund të hasen në majë, në trup, në skrotum (qesja e herdheve) ose në anus. Lythat mund të zhvillohen gjithashtu në gojë apo në fyt tek personat që kanë bërë seks oral me persona të infektuar.
Lythat mund të jenë në formë:
- Fryrje e vogël, ngjyrë mishi me nuancë gri.
- Disa lytha pranë njëri-tjetrit, që marrin formën e lulelakrës.
- Kruajtje ose mungesë rehatie në zonat gjenitale.
- Gjakosje gjatë marrëdhënieve seksuale.
- Lythat mund të jenë edhe shumë të vegjël e të sheshtë, sa është e vështirë të shihen me sy të lirë. Në raste të tjera, ato mund të shumëfishohen e të formojnë grumbuj të gjerë lythash.
Shkaktari
Human papiloma virus (HPV) është shkaku i lythave gjenitale. Ekzistojnë shumë tipe HPV-sh, që prekin zonat gjenitale, të cilat përhapen nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Në shumicën e rasteve, sistemi imun i vret HPV-të, duke mos zhvilluar kështu shenja të infeksionit.
Faktorët riskues
• Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura me shumë partnerë.
• Prania e sëmundjeve seksuale të tjera.
• Marrëdhënie seksuale me partnerë të panjohur.
• Marrëdhënie seksuale në moshë të hershme.
Komplikacionet e lythave
• Kancer. Kanceri i qafës së mitrës është i lidhur ngushtë me infeksionin gjenital nga HPV-të. Infeksioni me HPV jo domosdoshmërisht çon në kancer, por është shpesh i lidhur me kancerin.
• Probleme gjatë shtatzënisë. Lythat gjenitale mund të shkaktojnë probleme gjatë shtatzënisë.
Ato mund të rriten dhe të vështirësojnë marrëdhëniet seksuale, si dhe urinimin.
Lythat mund të ulin aftësinë e indeve vaginale për t’u shtrirë (zgjeruar) gjatë lindjes. Rrallë mund të infektohet fëmija e porsalindur, duke zhvilluar lytha në fytin e tij.
Diagnoza
Në disa raste mund të shihen me sy të lirë, në raste të tjera mund të jetë e nevojshme aplikimi i acidit acetik, për të shkaktuar zbardhjen e sipërfaqes së tyre, me anë të kolposkopit në pjesët e jashtme apo të brendshme gjenitale.
Pap testi është i rëndësishëm të kryhet në mënyrë të rregullt për të parë ndryshime në qafën e mitrës apo në muret vaginale.
HPV test: Një numër i vogël tipesh HPV-sh janë të lidhur me kancerin e qafës së mitrës, ndaj është e rëndësishme të bëhet tipizimi për gratë mbi 30 vjeçe.
Trajtimi
Nëse lythat nuk shkaktojnë asnjë shqetësim, nuk ka nevojë për trajtim. Por nëse gruaja ankohet për djegie, kruajtje, dhembje apo stres emocional, mund të bëhet mjekimi i tyre ose heqja kirurgjikale. Por duhet të dihet që këto lezione janë të rikthyeshme pas trajtimit në një kohë të papërcaktuar.
Parandalimi
Përdorimi i prezervativit gjatë çdo marrëdhënie seksuale ul rrezikun për t’u infektuar.
Vaksinimi
Vaksina Gardasil të mbron nga lythat gjenitale dhe disa tipeve kancerogjene, ndërsa Cervarix të mbron vetëm ndaj 2 tipeve të HPV-ve kancerogjene dhe nuk ka efekt ndaj lythave./JoTabu.al
Leave a Reply