![](https://jotabu.al/wp-content/uploads/2018/07/dita-boterore-e-hepatit.jpg)
Dita Botërore e Hepatitit – 10 fakte që duhet t’i dini rreth hepatitit viral
28 korriku shënon Ditën Botërore të Hepatitit. Mesazhi për këtë vit është: “Hepatiti: Koha për t’u testuar, koha për t’u trajtuar, koha për t’u kuruar”
Hepatiti viral është një grup sëmundjesh infektive të mëlçisë (të njohura si hepatiti A, B, C, D dhe E), që prek qindra miliona njerëz në mbarë botën çdo vit, duke shkaktuar sëmundje akute e kronike të mëlçisë, deri dhe vdekje.
Në veçanti, hepatiti viral B dhe C prekin rreth 325 milionë njerëz në mbarë botën dhe janë shkaqet kryesore të kancerit të mëlçisë.
Të paktën 60% e rasteve të kancerit të mëlçisë janë për shkak të testimit dhe trajtimit të vonuar të hepatitit viral B e C. Shkalla e ulët e testimit dhe trajtimit është pengesa kryesore për eliminimin e hepatitit viral.
Hepatiti B dhe C janë infeksione kronike që nuk mund të shfaqin simptoma për një periudhë të gjatë kohe. Në mbarë botën, 300 milionë njerëz jetojnë me hepatit viral dhe nuk e dinë këtë. Pa identifikuar të infektuarit e padiagnostikuar dhe të pamjekuar, miliona njerëz do të vazhdojnë të vuajnë dhe miliona jetë do të humbasin.
Këto infeksione mund të parandalohen, por shumica e njerëzve nuk e dinë se si.
10 GJËRAT QË DUHET TË DINI RRETH HEPATITIT VIRAL
- Hepatiti viral B dhe C janë sfida të mëdha shëndetësore
- Hepatiti viral B dhe C janë shkaqet kryesore të kancerit të mëlçisë
- Testimi dhe trajtimi në kohë i hepatitit viral B dhe C mund të shpëtojë jetë
- Hepatiti viral shkakton sëmundje me pasoja të rënda dhe u ngarkon familjeve një barrë të madhe ekonomike
- Hepatiti viral është kthyer në një vrasës të madh për shkak të mungesës së vëmendjes globale
- Gjatë 15 viteve të fundit është rritur numri i vdekjeve nga hepatiti viral
- Në të njëjtën kohë po rritet numri i njerëzve që infektohen rishtaz me hepatit viral
- Hepatiti prek njerëzit më të rrezikuar
- Hepatiti mund të parandalohet, të diagnostikohet, të trajtohet dhe madje të shërohet
- Ju mund të ndihmoni në eliminimin e hepatitit
Burimi: ISHP / JoTabu.al
Leave a Reply