Jeta seksuale e adoleshentëve/ Edukimi ynë, përgjegjësi e prindërve!
A.T është 18 vjeç dhe ndoshta nga të paktët djem që gjatë adoleshencës së tyre kanë patur vetëm një lidhje. Ai studion në një nga gjimnazet më të njohura të Tiranës dhe këtë vit tregon se do të jetë maturant.
I ardhur nga një qytezë e vogël e Veriut bashkë me familjen pak vite më parë, tregon se për të nuk ka qenë fort e lehtë të përshtatej me shoqërinë këtu. Megjithësë i rezervuar të flasë për jetën e tij, me pjekuri, nuk i kursen këshillat për moshatarët.
Më fol pak për veten?
Unë jam 18 vjeç, me origjinë jam nga Mati, por që prej disa vitesh jemi shpërngulur me familjen dhe jetojmë në Tiranë. Më thonë që jam nxënës i mirë (qesh), në fakt më pëlqen shumë fizika dhe matematika, dhe shpresoj që studimet e mia do i orientoj drejt Fakulteti të Inxhinierisë.
Çfarë marrëdhënie keni me vajzat? Jeni aktualisht në një lidhje?
Në fakt unë nuk tip që më pëlqen të flas shumë për gjërat e mia, por kur ma shpjeguat se për çfarë bëhet fjalë, thashë pse jo. Po, jam në një lidhje, kam thuajse 3 vite më një vajzë, ka qenë lidhja ime e parë dhe e vetme, dhe shpresojmë se do vazhdojë të jetë.
Ku jeni njohur?
Në shkollë, me pak fjalë jemi rritur bashkë nga klasa VIII dhe deri më sot ne kemi qenë vazhdimisht në të njëjtën klasë. Kur unë kam ardhur në Tiranë, nuk kisha shoqëri me askënd, ndërrimi i shkollës, vend tjetër, njerëz të rinj, kulturë dhe mentalitet tjetër, ishte shumë e vështirë për mua. Ky ishte dhe moment që njoha E. Kemi qenë shokë në fillim, pastaj me kohën lindën dhe ndjenjat, gjersa i propozova dhe nga ajo ditë ne jemi bashkë.
Në fakt, të rinjtë sot kanë tendencë për lidhje të shumta, të shkurtra, ndonjëherë dhe të shumëfishta. Ju çfarë mendimi keni lidhur mbi këtë?
Kur në mes nuk janë ndjenjat por instinkti, normalisht kështu ndodh. E vërteta është se jemi “degjeneruar” pak si shoqëri. Sigurisht unë kam shokë dhe shoqe dhe e njoh realitetin, e di që dhe ndoshta rasti im ngjan pak “jashtë mode” për modën e të rinjve sot sigurisht. Por marrëdhënie me dy shifra dhe të shumëfishte në moshën 13, 14, 15 vjeç është pak çmenduri. Megjithëse unë jam lidhur dhe vetë shumë i vogël, ndoshta për atë çka do të ishte idealja, por që u deshëm vërtet dhe vazhdojmë të jemi bashkë.
Po për nisjen e jetës seksuale 13-14 vjeç çfarë mendimi ke?
Të rritesh pa jetuar adoleshencën! Në fakt nuk është problem vetëm i shoqërisë tonë, që më pas shoqërohet dhe me pasoja fizike, psikologjike e shoqërore në tërësi. Vajzat përdoren, me një, me dy, me tre dhe kur përdoresh të humbet dhe vlera, shkatërrohesh dhe vetë psikologjikisht, ka dhe pasoja familjare, dhe më pas ndodhin ato që dëgjojmë në media. Megjithatë unë besoj se kjo është së pari përgjegjësia e prindërve, më pas e mësuesve dhe atyre qe merren me edukimin tonë. Pa dyshim që dhe rrjetet sociale e media kanë një impakt negativ në tërësi./ JoTabu.al
Leave a Reply