Infeksionet urinare tek gratë shtatzëna, rreziqet dhe kujdesi
Mjekja Estela Elezi
Infeksionet urinare janë një invadim bakterial i traktit urinar që përbëhet nga veshkat, ureteret (tubëzat lidhës mes veshkave dhe fshikëzës së urinës), fshikëza e urinës dhe uretra.
Janë mjaft të shpeshta tek femrat dhe sidomos tek shtatzënat. Shkaku kryesor i predominimit në femra është afërsia e rrugëve urinare me anusin dhe gjenitalet. Shtatzënia ofron faktor shtesë lehtësues të këtyre infeksioneve.
Dallojmë tri etnitete të ndryshme:
- Bakteriuria asimptomatike
- Cistit akut
- Pielonefriti akut
Shkaktarët kryesorë:
- coli
- Gram pozitivet, streptokoku saprofit
- Stafilokoku aureus
- Enterokoku
- Proteus mirabilis
- Kleibsiela pneumonie
Rrugët e marrjes së infeksionit janë disa:
Rruga hematogjene (përmes qarkullimit të gjakut): kjo përforcohet nga fakti se përveç traktit urinar E. Coli gjendet dhe në mukozën uterine duke u bërë shkak për aborte në tremujorin e parë, lindje parakohe, hipotrofi fetale, vdekje fetale in utero.
Rruga ngjitëse: infeksioni kalon nga vulva, vagina që kolonizohen me baktere të ndryshme gjatë shtatzënisë me mekanizmin e refluksit veziko ureteral, pra kalimi i urinës nga fshikëza në ureter. Rritja e uterusit që në tremujorin e parë të barrës, bën që fshikëza të mos zbrazet plotësisht duke formuar kështu pellgje urine dhe rrjedhimisht kalim të urinës mbrapsht në ureter. Ngjitja bakteriale nga vagina ose dhe anusi favorizohen nga një higjienë jo e mirë, ushqim jo i mirë.
Rruga zbritëse, sindromi enterorenal në këto raste meteorizmi (fryrja e barkut nga gazrat), konstipacioni (kapsllëku) ndikojnë në kalimin e E. Colit nga rrugët digjestive (zorrët) në rrugët urinare. Hormonet bëjnë të tyren, kështu estrogjeni favorizon ngjitjen bakteriale në ureter, ndërsa progresteroni ul lëvizshmërinë e uretereve, duke formuar dhe këtu pellgje urinare.
Bakteriuria simptomatike sinjifikative: nuk ka shenja klinike, por sasia e baktereve në urinë është e konsiderueshme.
E vetmja ankesë e grave mund të jetë urinim i paktë, kjo dhe nga marrja e lëngjeve në sasi të paktë. Në analizë të thjeshtë urine shohim cilindra, leukocite. Në kulturë urine në përgjithësi gjejmë E.Coli.
Trajtimi është i paevitueshëm me antibiotik të klasës së beta laktameve. Nëse nuk trajtohet në mënyrë të drejtë, do të kalojë në cistit akut.
Pielonefriti akut
Përveç shenjave lokale të cistitit ka dhe dhimbje mesi me temperaturë febrile. Në këto raste gruaja duhet shtruar urgjent në maternitet. Zakonisht kalon në 2 faza:
-Faza pre supurative-me zhvillim të menjëhershëm temperaturë të lartë 40 gradë celcius, rrahje të shpeshta të zemrës, zbehje, shenja këto që vijnë duke u rënduar. B-me zhvillim të ngadaltë,
temperaturë subfebrile që vjen duke u rritur për 3-4 ditë, zbehje, rrahje të shpeshta zemrës, tension i ulët, diarre ose konstipacion.
*Faza supurative që karakterizohet nga prania e bakterit shkaktar në gjak.
Diagnoza konfirmohet nga analiza e urinës.
Antibiotikoterapia ka ulur komplikacionet e nënës, ndërsa ato të bebit në gra me temperaturë të lartë për 3-4 ditë variojnë. Mund kemi abort në 3-mujorin e parë të shtatzënisë, lindje premature
ose parakohe, hipotrofi ose dhe vdekje in utero.
Trajtimi i zgjedhur bëhet me antipiretik (preparate që ulin temperaturën), antibiotik
me spektër të gjerë, si p.sh.: cefalosporinat e gjeneratës së tretë, marrje lëngjesh në sasi të mëdha, tokolitik dezinfektant vaginal, ndalim i marrëdhënieve seksuale.
Cistiti akut – infeksion i fshikëzës urinare me klinikë të qartë.
Urinim i shpeshtë i shoqëruar me djegie, pamundësia për të mbajtur urinën gjatë sforcove (kollë, teshtimë, qeshje), dhimbje në fund të barkut, kontraksione të uterusit. Nëse kemi kontraksione pa ndonjë shenjë tjetër duhet të mendojmë për një cistit akut. Kujdesi që duhet treguar, është shumë i madh pasi mund të çojnë në abort ose lindje para kohe. Gjithsesi, kujdes duhet bërë dhe për diferencimin nga kontraksionet “braxtonhicks” që nisin nga 3-mujori i dytë, janë të padhimbshme, të çrregullta dhe larg njëra-tjetrës, ndryshimi i pozicionit, urinimi mund t’i ndalin. Këto nuk përbëjnë asnjë rrezik. Cistiti akut në përgjithësi ka temperaturë që varion nga subfebrile në febrile maksimale. Në analizë urine, ngarkesa bakteriale është e shprehur. Trajtimi sigurisht bëhet me antibiotik shoqëruar me tokolitik preparate që shkrijnë kontraksionet uterine për të parandaluar rrezikun e abortit ose lindjes para kohe. Në mungesë të një trajtimi adekuat do të kemi përparim të infeksioni në veshkë duke dhënë pielonefrit akut.
Rekomandime që vlejnë për çdo grua shtatzënë në çdo muaj qoftë:
- Marrja e shumë lëngjeve
- higjienë e mirë seksuale: urinim dhe shpëlarje pas kontaktit
- higjienë e mirë personale
- ushqim korrekt me shumë fruta e zarzavate, dhe jo të skuqura për të eliminuar konstipacionin
- ekzaminime rutinë urine dhe nëse nuk ka shqetësime.
Kujdes! Antibiotikët kurrë mos i merrni në farmaci pa recetën e mjekut, pasi vetëm një klasë e caktuar antibiotikësh janë të padëmshëm për fetusin./ JoTabu.al

Leave a Reply