Gjëndrat e dyshimta të gjirit – simptomat dhe shkaqet
Shumë gra që ndiejnë një gjëndër në gjoks i zë ankthi se mos është kancer. Pjesa më e madhe e gjëndrave në gjoks nuk janë të rrezikshme. Ato mund të zhvillohen nga:
Cistet e gjirit. Nëse gjëndra duket si rrethore, e butë dhe lehtë, mund të jetë cist – zgjerim i kanalit të qumështit i mbushur me lëngje. Cisti i gjirit mund të jetë i madh ose i vogël, ndërsa indet përreth gjirit mund të jenë të ndjeshme. Cisti i gjirit mund të shfaqet para ciklit menstrual, dhe zvogëlohet ose zhduket më pas.
Ndryshime fibrocistike të gjirit. Disa gra përjetojnë ndryshime fibrocistike të gjirit gjatë ciklit menstrual, që përmirësohen pas ciklit. Në këtë rast, gjoksi duket më i fryrë dhe më i ndjeshëm. Ndonjëherë mund të shfaqen befas edhe kokrra në gji, të cilat zhduken ose zvogëlohen dukshëm pas ciklit.
Fibroadenomat. Fibroadenomat janë masa tumorale të ngurta, beninje (jo kanceroze) të gjirit, që shfaqen më shpesh tek vajzat adoleshente dhe femrat nën moshën 30 vjeç. Mund ta përshkruani fibroadenomën si një masë e ngurtë, e kufizuar mirë dhe e butë në prekje. Është një formacion në gjoks që mund të ndihet lehtësisht poshtë lëkurës, por që zakonisht nuk sjell dhembje.
Nuk dihet saktësisht çfarë i shkakton fibroadenomat, megjithatë ekspertët mendojnë se lidhen me hormonet riprodhuese. Ato shfaqen më shpesh gjatë viteve riprodhuese, mund të zmadhohen më shumë gjatë shtatzënisë ose kur përdorni terapi hormonale, ose mund të tkurren pas menopauzës, kur fillojnë të ulen nivelet e hormoneve.
Plagë ose infeksione. Plagët në indet e lëkurës ose afër nervave mund të shkaktojnë formimin e një gjëndre në gji. Mjekët e përshkruajnë këtë gjendje si nekrozë dhjamore. Grumbullimi i lëngjeve infektuese në indin e gjirit mund të shkaktojë gjithashtu zhvillimin e një gjëndre në gjir, që shkakton dhembje dhe inflamacion vetëm në një pjesë të gjirit.
Kanceri i gjirit. Një gjëndër në gji, e fortë, me formë të parregullt dhe ndryshe nga indet përreth gjirit, por që nuk dhemb, mund të jetë kancer gjiri. Lëkura sipër kësaj gjëndre duket e skuqur dhe si gropëz (si lëkura e portokallit). Ndryshon gjithashtu edhe forma dhe madhësia e gjoksit, si dhe mund të vëreni rrjedhje nga thithka.
Vetëm duke u kontrolluar tek mjeku dhe kryer testet e duhura, mund të zbuloni se çfarë lloji gjëndre keni në gjoks.
Burimi: Mayo Clinic / JoTabu.al

Leave a Reply