Boris, i riu që përdor pasionin për të lumturuar të tjerët
Boris Hoxha është 18 vjeç. Ai është maturant ne gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë. 18 vjeçari është i apasionuar pas muzikës. Ka rreth dy vite që këndon në mënyrë amatore. Gjatë kësaj kohe ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme bamirësie. Një prej tyre është organizuar nga organizata Outdoors Ambasadors për sensibilizimin e ndotjes së mjedisit. Është bërë pjesë e koncertit të bamirësisë të organizuar nga ‘Talent Blender’, ‘Skills and thrills’ dhe koncerte të të ndryshme të organizuara nga student për të ndihmuar njerëz në nevojë. “Është gjë tepër e bukur kur sheh dikë që bëhet i lumtur. Kjo mua më jep një kënaqësi të veçantë. Dhe në momentin që ti je ai person që i bën të lumtur njerëzit kjo të mbush me ndjenja të bukura.
Shpesh ka kënduar edhe në koncerte të bashkisë për festa të ndryshme. Zakonisht këndon indie folk jazz, ndërsa me raste ka provuar edhe stilin rok. Pasionin për muzikën Boris thotë se e ka kuptuar që në moshën 12 vjeçare edhe pse atëherë nisi thjesht si një lojë fëmijërore.
Më pas në gjimnaz filloi të merret më shumë dhe më seriozisht me muzikë. Ka marrë pjesë në disa kompeticione mes gjimnazeve, të cilat ai preferon ti quajë aktivitete të vogla. Pavarësisht se e ka pasion dhe prej disa vitesh tashmë ka kënduar në koncerte dhe aktivitete të ndryshme, dëshiron që në të ardhmen muzikën ta shikojë si një hobi më shumë se sa profesion.
Përgjithësisht është natyrë e çiltër dhe i pëlqen të njohë njerëz të rinj. Me origjinë është nga Kukësi por ka lindur në Tiranë. Kohën e lirë e shfrytëzon duke dalë me miqtë në vende të ndryshme, duke luajtur basketboll, futboll, me raste bën hiking, çiklizëm, not si dhe shikon filma. Disa herë ka qenë edhe në shtëpi të moshuarish për të kaluar disa ore me to, së bashku me miqtë e tij.
Aktualisht Boris është pjesë e një rrjeti të edukimit bashkëmoshatar ku jep ndihmë vullnetare në lidhje me problemet që të rinjtë hasin në jetën e përditshme, kryesisht ato që kanë të bëjnë me shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese. #UNFPA

Leave a Reply