Shtohet numri i nënave adoleshente në Shqipëri, kryeson Fieri
Studimi i dytë Demografik dhe Shëndetësor (2017-18), i prezantuar pak ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tregon se është rritur përqindja e vajzave të moshës 15-19 të cilat kanë lindur një fëmijë, nga 2.8% në vitet 2008-09 në 3.5% në 2017-18.
Në të gjithë botën, shtatzënitë në adoleshencë priren të ndodhin më shumë tek grupet e margjenalizuara, të karakterizuar zakonisht nga varfëria dhe mungesa e arsimimit dhe mundësive për t’u punësuar.
Sa i përket Shqipërisë, Studimi Demografik dhe Shëndetësor (2017-18) tregon se përqindja e adoleshenteve të cilat janë bërë nëna është 9% te ato me arsimim 8-vjeçar, krahasuar me 1% me ato me arsim të mesëm ose profesional dhe 0% për ato me universitet ose doktoraturë.
Të ardhurat ekonomike gjithashtu duket se ndikojnë në predispozitat për mëmësinë në adoleshencë, ku 6% e adoleshenteve me të ardhura të ulëta kanë lindur fëmijë, krahasuar me 1% te ato me të ardhura të larta ekonomike.
Në Fier (7%) është edhe numri më i lartë i vajzave të cilat janë bërë nëna në vitet e adoleshencës, pasuar nga Durrësi dhe Vlora (me 6%) dhe Dibra dhe Korça (me 4%).

Shtatzënia në adoleshencë, lindja e fëmijës në moshë të re dhe mëmësia në adoleshencë kanë pasoja negative socio-ekonomike dhe shëndetësore. Nënat adoleshente janë më të rrezikuara që të kenë komplikacione gjatë lindjes së fëmijës, prandaj dhe rreziku për vdekshmëri të tyre dhe fëmijëve është më i lartë. Gjithashtu, lindja e fëmijës gjatë viteve të adoleshencës ka edhe pasoja sociale, sidomos në arsimim, pasi gratë që bëhen nëna në adoleshencë janë më pak të predispozuara që të vazhdojnë arsimin e lartë.


Leave a Reply