Zëri i të Rinjve: Njihuni me Flutura Brakaj
Bisedoi: Blertina Koka
Sistemi i shoqërisë, kohët moderne dhe teknologjitë e reja nuk e kanë futur aspak në vorbullën e parazitizmit apo indiferentizmit social, përkundrazi, ajo ka kërkuar gjithmonë nga vetja dhe ka ditur që të hedh hapa të sigurt në jetë.
Që 17 vjeç Flutura Brakaj është përfshirë në nismat vullnetare, fillimisht si advokuese për të drejtat e të rinjve pa kujdes prindëror në Shqipëri, nismë kjo e ndërmarrë nga organizata SOS Fshatit të Fëmijëve në Shqipëri. Tashmë 23 vjeç, ajo është duke kryer një vit shërbim vullnetar social pranë organizatës më të madhe të të rinjve në Gjermani “Schüler Helfen Leben”.
Qasjen pozitive ndaj jetës, madje edhe buzëqeshjen e gjithhershme që e karakterizon, ajo ia atribuon bashkëudhëtimit me njerëzit në nismat e ndryshme të ndërmarra brenda dhe jashtë vendit, ku ajo është përfshirë si vullnetare.
Këshilla e saj për organizatat që kanë në ekip të rinj vullnetar: Nëse një i ri i apasionuar iu dedikon kohën e tij, ju lutem mos e zhgënjeni! Drejtojeni me kujdes ndaj rrugës së të qenit një individ i integruar dhe i përfshirë me vetëdije në shoqëri dhe komunitet.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga Shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Flutura flet më shumë për eksperiencën e saj si vullnetare, përfshirjen në nismat e shumta të ndërmarra brenda dhe jashtë vendit dhe çfarë ajo ka fituar duke u bërë pjesë e këtyre nismave, si vullnetare.
Mund të më flasësh pak për veten? (Mosha, arsimimi, eksperienca pune apo përfshirja në grupet vullnetare).
Jam Flutura Brakaj, 23 vjeç. Kam mbaruar Bachelorin për “Gjermanistikë” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, pasuar me një Master Profesional për “Politikat Sociale” në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.
Përfshirja ime vullnetare dhe aktivizimi kanë nisur që herët, kur unë isha 17 vjeçe, pjesë e SOS Fshatit të Fëmijëve në Shqipëri. SOS, me anë të një fushate advokacie për të ndryshuar një legjislacion për të rinjtë pa kujdes prindëror në Shqipëri, më mësoi vlerat esenciale të përfshirjes. Së pari për të zhvilluar më tej vetëbesimin, komunikimin dhe për të zbuluar potencialin tek vetja, e deri tek motivimi i të rinjve të tjerë për të kërkuar zbatimin e të drejtave të tyre, një shoqëri tolerante dhe demokratike.
Deri më tani unë numëroj përfshirjen në mbi dhjetëra organizata shqiptare dhe të huaja, e pjesëmarrjen në fushata, workshope, sesione studimore, trajnime, konferenca në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që lidhen kryesisht me fushën e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, edukimit seksual dhe riprodhues, komunitetin Rom, fuqizimit të grupeve të margjinalizuara, punësimit; edukimit dhe mundësive të të rinjve në Shqipëri etj.
Aktualisht jam duke kryer një vit shërbim vullnetar social pranë organizatës më të madhe të të rinjve në Gjermani “Schüler Helfen Leben”.
Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Unë personalisht kur mendoj për fjalën “vullnetarizëm” më vijnë së pari ndërmend të gjithë njerëzit që kam njohur dhe që sot janë miqtë e mi më të mirë: të rinj të motivuar, energji të pashtershme të grupeve, punonjës të përkushtuar, besim për të ndryshuar të ardhmen, bashkëpunime që kanë sjellë suksese etj.
Një “vullnetar” në sytë e mi është dikush me parime dhe vlera humane të veçanta, pasion dhe këmbëngulje për ndryshim, i çfarëdolloji dhe përmase qoftë.
Të jesh vullnetare…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Për mua, të jesh vullnetar do të thotë të kesh zgjedhur të sfidosh:
- Realitetin….sepse ndikon në mënyrë direkte apo indirekte tek ty dhe mundësitë që do të ofrohen; ndikon tek mirëqenia, demokracia, toleranca njerëzore dhe liria.
- Drejtësinë sociale dhe solidaritetin njerëzor…. Çfarëdolloj kauze dhe fenomeni për të cilën të rreh zemra fort dhe ndjen përgjegjësi morale!
- Politikëbërjen, qeverisjen dhe njerëzit që po e shëmtojnë gjithë vlerën e madhe që mbart si fjalë.
- VETEN– padyshim veten mbi të gjitha, sepse pa nisur nga “lufta” me veten, nuk bën dot asnjë hap për të sfiduar çka shkruhet më lart!
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Më ka nxitur përherë kënaqësia që kam për të mirëpritur çdo mundësi që më vjen në jetë si një eksperiencë që do të më fuqizojë, ndryshojë dhe të më bëjë njeri akoma më të mirë. Kam kërkuar gjithmonë të drejtën edhe aty ku nuk ka qenë, dhe sot “Human Rights” më është kthyer në një pasion.
Mendon se ia vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë? Çfarë të ka pëlqyer dhe jo nga ajo?
Sistemi i shoqërisë, kohët moderne dhe teknologjike që po na rrethojnë kanë një risk të madh për ne të rinjtë të na fusin në vorbullën e parazitizmit, indiferentizmit social, të qenit të pashpresë apo të demotivimit për jetën, mundësitë e studimit e punësimit dhe të ardhmen në përgjithësi. Unë mendoj se çdo gjë në jetë është zgjedhje…ose zgjedh t’i ofrosh veten indiferentizmit dhe demotivimit, ose zgjedh të japësh nga vetja diku, pa pritur në këmbim, por duke kërkuar me vendosmëri të hedhësh një hap, të bësh një lëvizje…
Unë kam zgjedhur të dytën përherë, të kërkoj gjithmonë nga vetja. Dhe jam shpërblyer, kam mbështetur dhe jam mbështetur- ËSHTË RECIPROCITET!
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Padyshim që do të inkurajoja gjithkënd të përfshihej vullnetarisht! E dini pse?
Sepse leksionet më të bukura dhe të fuqishme në jetë i mëson në mënyrën më të sinqertë, vetëm nga kontakti me qeniet humane. Bashkëudhëtimi me njerëzit është gjenial! Inspirimin, vullnetin, të pranuarit, barazinë, empatinë, fuqizimin, hera herës dhe drejtimin që doja të merrja në jetë unë e kam mësuar nga njerëzit në eksperiencat vullnetare që kam pasur.
Njerëzit madje të mësojnë edhe se si te kesh përherë një qasje pozitive ndaj jetës, si të buzëqeshësh, me gjithë shpirt!
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Nëse një i ri i apasionuar iu dedikon kohën e tij, ju lutem mos e zhgënjeni! Drejtojeni me kujdes ndaj rrugës së të qenit një individ i integruar dhe i përfshirë me vetëdije në shoqëri dhe komunitet.
Koha është e shenjtë për ne- për të mësuar çdo ditë me mendjehaptësi, për të zhvilluar aftësitë sociale, për të zbuluar interesat dhe dëshirat personale, si edhe për t’u orientuar drejt profesionit dhe karrierës së të ardhmes.

Leave a Reply