Rrethprerja: Si ndikon në marrëdhëniet seksuale bashkëshortore
Bisedoi: Elona Tereziu
Rrethprerja përmirëson jetën seksuale bashkëshortore. Në këtë konstatim arrin mjekja kirurge Marinela Hoxhallari, e cila në një intervistë deklaron se një mashkull i bërë synet jo vetëm që nuk e humbet ndjeshmërinë në organin e tij, por përkundrazi, ai e shijon më tepër aktin seksual pasi ndjeshmëria e neuroreceptorëve rritet.
Një konstatim i tillë është bërë shpesh herë objekt i studimeve të ndryshme, por ajo çka dihet me siguri sot janë përfitimet shëndetësore ku shkenca tashmë ka provuar se një procedurë e tillë mbron jo vetëm mashkullin por dhe partneren e tij nga sëmundje të ndryshme .
E ndërkohë që liston përfitimet shëndetësore, ajo tregon dhe se kur është koha më e përshtatshme për një ndërhyrje të tillë, duke cilësuar moshën 3-4 vjeç, pasi deri në këtë fazë tek fëmija nuk është forcuar ende memoria, çka e mbron atë nga traumat e mëvonshme psikologjike.
Çfarë nënkuptojmë me rrethprerje?
Rrethprerja, ose synetllëku siç njihet në gjuhën popullore, është një procedurë e thjeshtë kirurgjikale që nënkupton heqjen e lafshës së lëkurës që mbulon kokën e penisit. Kjo lëkurë në gjuhën shkencore quhet prepicium dhe shpesh herë, për shkak të papastërtive që grumbullon, bëhet shkak për infeksione të ndryshme.
Kur është koha më e përshtatshme për një ndërhyrje të tillë?
Për këtë ka mendime të ndryshme, por unë do të cilësoja moshën 3-4 vjeç si kohën më të përshtatshme, jo më të vogël. E para sepse fëmija duhet të ketë në kontroll urinimin në mënyrë që të jetë i çliruar nga pampersat dhe e dyta sepse pas kësaj moshë fëmija fillon e mban mend.
Duke e mbajtur mend dhe kujtuar si një akt të tillë të frikshëm, fëmija mund të traumatizohet psikologjikisht, duke e kujtuar herë pas herë gjatë jetës.
A është vërtetë rrethprerja një nevojë shëndetësore, apo thjesht një traditë?
Pavarësisht se shumica e njerëzve vazhdojnë ta shohin rrethprerjen ende si traditë, duke e lidhur dhe me besimin fetar, shkenca tashmë i ka provuar të mirat dhe dobitë në që ka një proces i tillë, kryesisht në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar. Disa nga këto dobi mund të përmendim:
- Pakëson mundësitë e sëmundjeve infektive të traktit urinar, ku sipas studimeve, meshkujt e pabërë synet sëmurën 10 herë më shpesh se ata që i janë nënshtruar një ndërhyrje të tillë.
- Pakëson mundësinë e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, si sifilizi, gonorrea, herpesi gjenital etj.
- Pakëson mundësinë e kancerit të penisit.
- Është vënë re se tek gratë e burrave të bërë synet shfaqet më pak kanceri i qafës së mitrës.
- Pakëson zbrazjen para kohe të spermës, duke e zgjatur aktin seksual.
A ka ndonjë ndikim në aktin seksual? Pse thuhet se një penis i tillë e humbet paksa ndjesinë pas ndërhyrjes?
Jo aspak, synetlliku nuk ndikon fare në libido. Përkundrazi, një mashkull i bërë synet e shijon më tepër aktin seksual se sa një mashkull i pabërë, ndërkohë që dhe partnerja kënaqet më shumë gjatë penetrimit falë lëkurës së grumbulluar në strukturën bazë të kokës së penisit, çka bën ngacmimin e klitorisit, dhe si rrjedhojë femra arrin më tepër kënaqësi.
Leave a Reply