Pse ndodhin e si zhvillohen infeksionet urinare?
Përgjigjet dr. Alket Koroshi, mjek nefrolog
Bakteret më të shpesha që shkaktojnë infeksionet urinare janë ato që zakonisht gjenden në florën intestinale. Këto janë kryesisht bakterie gramnegative: Escherichia coli, proteus, pseudomonas, klebsiella, e më rrallë enterokoke dhe mikroorganizma të tjera.
Invadimi me bakterie i veshkave mund të ndodhë me anë të dy rrugëve:
1. Rruga hematogene gjatë një gjendje bakteriemie ose septike
2. Rruga ascendente (ngjitëse) si pasojë e një infeksioni të rrugëve të poshtme urinare.
Rruga ngjitëse (ascendente është rruga kryesore e shkaktimit të infeksioneve urinare.
Diagnoza e infeksionit të traktit urinar vihet në bazë të gjetjes në urinë të baktereve. Thuhet se ka bakteriuri të rëndësishme kur numri i tyre është mbi 100.000 /ml urinë. Vlerë të madhe ka edhe gjetja e leukociteve në sedimentin urinar. Rëndësi të madhe ka mënyra e mbledhjes së urines për analizë. Duhet që të merret urina e mëngjesit pasi të jetë hedhur urina e natës. Kur mblidhet urina duhet që porcioni i parë i saj të hidhet jashtë dhe të mblidhet porcioni i mesit të urinës.
Për vendosjen e baktereve në traktin urinar ndikojnë disa faktorë favorizues :
• Manovrat instrumentale në traktin urinar (sidomos katererizimet e përsëritura e të zgjatura)
• Të gjitha konditat që pengojnë rrjedhjen normale të urinës e traktin urinar si refluksi vezikoureteral, kalkulozat (guret) , hipertrofia ose tumoret prostatike, vezika neurogene, neoplazitë e bacinit të vogël etj.
• Gjithë ato kondita që japin çrregullime të ndryshime në nivelin e papilave renale si diabeti mellitus, abuzimi me analgjezike, anemia drepanocitare etj.
Grate janë më të favorizuara për infeksione urinare pasi ato kanë uretrën më të shkurtër, e kësisoj është më e lehtë që bakteret që vijnë nga koloni të penetrojnë në traktin urinar. Shtatzënia është një faktor tjetër favorizues për infeksionet urinare. Në gratë shtatzëna është konstatuar se ka bakteriuri pozitive ne 6-7% të rasteve. Nëse këto gra lihen pa u mjekuar, atëherë 20-30% e tyre bëjnë më pas pyelonefrite simptomatike duke kërcënuar seriozisht jetën e fetusit dhe lindje të parakohshme.
Leave a Reply