Pas rastit të 15-vjeçares së abuzuar nga roja i shkollës, reagon ministrja e Arsimit
Ngjarja e fundit që tronditi Tiranën, ku një 65-vjeçar, roje i një shkolle në periferi të kryeqytetit abuzoi seksualisht me 15-vjeçaren, ka zgjuar nevojën për vëmendje dhe reagim të menjëhershëm të të gjithave institucioneve të përfshira.
Përmes një komunikimi live në Facebook, ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka përgëzuar fillimisht nxënësit që gjejnë kurajo të denoncojnë bullizmin, dhunën dhe abuzimin, duke shtuar se “shkolla duhet të shndërrohet në hapësirë të sigurt”.
Shahini, njoftoi gjithashtu se ka filluar riorganizimi i stafit në mënyrë që fëmijët të ndihen të mbrojtur nga të tilla probleme traumatike që i hasin jo rrallë.
“Do të dyfishohet numri i psikologëve dhe punonjësve socialë përmes një riorganizimi të stafit arsimor që tashmë ka filluar. Ata do të trajnohen për çështjet gjinore dhe për çështje të ngacmimit dhe abuzimit seksual, në mënyrë që të adresojnë këto tema të ndjeshme sa më mirë që të jetë e mundur në shkollë.”
Ndër të tjera, ministrja shtoi se janë vendosur gjithashtu protokollet e veprimit të shpejtë, në mënyrë që sapo të bëhet një denoncim, personi të përjashtohet menjëherë nga puna dhe të ndiqen penalisht.
Përpos rolit të shkollës, që padyshim është kyç, Shahini kërkoi bashkëpunimin e mediave për raportim të drejtë dhe të ndjeshëm të situatave si dhe të gjithë shoqërisë, në ndryshimin e mendësisë në lidhje me keto probleme.
15-vjeçarja, përndiqej dhe ngacmohej prej kohësh nga roja i shkollës, i cili e shantazhonte duke i kërkuar në këmbim të kryente marrëdhënie me të.
Përgëzoj nxënësit që gjejnë kurajon të denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre, si hapi i parë dhe i domosdoshëm për të luftuar bullizmin dhe dhunën. Politika “shkolla si hapësirë e sigurt” do të ndihmojë në këtë drejtim. Por, duhet bashkëpunim i të gjithëve për të ndryshuar kulturën patriarkale që mundëson dhunën ndaj vajzave dhe grave.
Posted by Besa Shahini on Monday, June 1, 2020

Leave a Reply