Infeksioni i traktit urinar, si ta trajtoni
Infeksionet e traktit urinar janë infeksione që prekin organet e traktit urinar. Këto struktura përfshijnë veshkat, ureterët, fshikëzën urinare dhe uretrën. Gratë preken më shpesh nga infeksionet urinare se burrat. Kjo për shkak se gratë kanë uretër më të shkurtër se ajo e burrave, çka e lehtëson lëvizjen e baktereve për në fshikëz.
Infeksionet e traktit të sipërm urinar mund të shkaktojnë simptomat e mëposhtme:
– Urinim të shpeshtë
– Dhimbje, diskomfort ose djegie gjatë urinimit
– Dhimbje ose presion në zonën e fshikëzës urinare
– Urinë me ngjyrë të turbullt ose erë të pazakontë
– Ethe dhe temperaturë
– Të vjella
– Dhimbje mesi
– Urinim të shpeshtë natën
Infeksioni mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të traktit urinar, ndaj edhe ndahen në:
Cistit (fshikëzën e urinës): Mund të ndjeni nevojë të shpeshtë për të urinuar ose keni dhimbje gjatë urinimit. Gjithashtu mund të keni dhimbje në pjesën e poshtë të barkut, dhe urine të turbullt ose me njolla gjaku.
Pielonefriti (veshka): Mund të shkaktojë temperaturë, ethe, të përziera, të vjella dhe dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës.
Uretrit (uretra): Mund të shkaktojë rrjedhje vaginale ose dhimbje gjatë urinimit.
Marrëdhëniet seksuale mund të favorizojnë infeksionin. Gjithashtu, përdorimi i metodave të ndryshme të kontacepsionit mund të ndryshojë mjedisin normal bakterial përreth uretrës dhe të favorizojë infeksionin.
Në gratë shtatzëna, ndryshimet e përkohshme fiziologjike dhe anatomike të traktit urinar i bëjnë ato më të prirura për cistite dhe pielonefrite. Infeksionet e fshikëzës urinare dhe veshkave mund të kthehen në një problem serioz për gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre, pasi rrisin riskun për kontraksione ose lindje të parakohshme dhe mund të përbëjnë rrezik për jetën e fetusit.
Trajtimet
Përgjithësisht infeksionet e traktit urinar trajtohen me antibiotikë. Megjithatë, duhen marrë gjithmonë me rekomandimin e mjekut. Ai mund t’ju sugjerojë edhe ilaçe të tjera për lehtësimin e dhimbjeve. Konsumimi i ujit është shumë i rëndësishëm në këtë rast për të nxjerrë jashtë bakteret. Lëngu i boronicës së kuqe ndihmon gjithashtu në parandalimin e zhvillimit të infeksioneve urinare.
Ekspertët po përpiqen të zbulojnë mënyrë të tjera për të trajtuar dhe parandaluar infeksionet urinare, si vaksinat apo metoda të tjera që forcojnë sistemin imunitar.
Si të parandaloni ri-infektimin me infeksion të traktit urinar?
- Zbrazni fshikëzën sapo ndieni nevojën për të urinuar
- Pastrohuni nga para pas
- Pini sa më shumë ujë
- Bëni dush në vend të banjove në vaskë
- Qëndroni larg produkteve vaginale
- Pastroni organin gjenital para se të kryeni marrëdhënie seksuale
- Urinoni pas marrëdhënieve seksuale për të nxjerrë jashtë çdo bakter që mund të ketë kaluar në uretër.
- Nëse përdorni diafragmë, prezervativë të palubrifikuar ose xhel spermicidal për kontrollin e lindjes dhe keni infeksion urinar, duhet të ndryshoni metodën e kontracepsionit. Diafragmat mund të rrisin zhvillimin e baktereve, ndërsa prezervativët e palubrifikuara mund të irritojnë traktin urinar. Të gjitha këto mund të përkeqësojnë simptomat e infeksionit urinar.
- Mbani pjesën gjenitale të thatë duke mbajtur veshmbathje prej pambuku dhe rroba që ju vijnë lirshëm. Mos vishni xhinse të ngushta ose veshmbathje prej najloni; mund të shkaktojnë lagështi, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e baktereve.
Burimi: WebMD / JoTabu.al
Leave a Reply