Infeksionet urinare, shkaqet dhe faktorët e rrezikut
Infeksionet e traktit urinar zakonisht zhvillohen kur një bakter kalon në traktin urinar nëpërmjet uretrës dhe fillon të shumohet në fshikëz. Edhe pse sistemi imunitar është krijuar në atë mënyrë që të mbajë larg “pushtues” të tillë mikroskopikë, prishja e mekanizmave normale të mbrojtjes bën që mikrobet të ngjiten dhe të shumohen në fshikëzën e urinës e më lart.
Infeksionet urinare zakonisht prekin fshikëzën dhe uretrën.
- Infeksioni i fshikëzës së urinës (cistitet). Ky lloj infeksioni zakonisht shkaktohet nga bakteri Escherichia coli (E. coli), që gjendet zakonisht tek trakti gastrointestinal. Por, nuk përjashtohen as bakteret e tjera.
- Aktiviteti seksual mund të çojë në zhvillimin e cistiteve, ashtu siç nuk përjashtohen as rastet kur edhe njerëzit që nuk janë aktivë seksualisht të zhvillojnë infeksione në fshikëz. Të gjitha gratë janë të rrezikuara nga cistitet, për shkak të anatomisë – më specifikisht, distanca e shkurtër nga uretra në anus dhe hapja uretrale në fshikëz.
- Infeksioni i uretrës (uretriti). Ky lloj infeksioni shfaqet kur bakteri i traktit gastrointestinal përhapet nga anusi në uretër. Duke qenë se uretra te gratë është shumë afër vaginës, infeksionet seksualisht të transmetueshme, si herpesi, gonorrea, klamidia dhe mikoplazma, mund të shkaktojnë infeksion të uretrës.
Faktorë rreziku
Shumë gra përjetojnë më shumë se një infeksion gjatë jetës së tyre. Faktorët e rrezikut për zhvillimin e infeksioneve urinare, specifik për gratë, janë:
- Anatomia e femrës – Gruaja ka uretër më të shkurtër se burri, prandaj distanca e kalimit të bakterit në fshikëz është më e shkurtër.
- Aktiviteti seksual – Gratë që janë aktive seksualisht preken më shpesh nga infeksionet urinare, se ato që nuk janë aktive. Aktiviteti seksual me disa partnerë gjithashtu rrit rrezikun për zhvillim të infeksioneve.
- Metoda të caktuara kontraceptive – Gratë që përdorin diafragmë si metodë kontraceptive janë më të rrezikuara.
- Menopauza – Pas menopauzës, rënia e qarkullimit të estrogjenit shkakton ndryshime në traktin urinar, duke rritur rrezikun për infeksione.

Faktorë të tjerë rreziku për zhvillimin e infeksioneve urinare janë:
Anomali të traktit urinar. Bebet e lindur me anomali të traktit urinar, që nuk lejojnë rrjedhjen normalisht të urinës ose e rikthejnë atë në uretër, janë më të rrezikuar nga infeksionet e traktit urinar.
Bllokime në traktin urinar. Gurët në veshka ose një prostatë e zmadhuar mund të pengojnë rrjedhjen si duhet të urinës, duke rritur rrezikun për zhvillimin e infeksioneve urinare.
Sistem i dobët imunitar. Diabeti dhe sëmundje të tjera mund të dobësojnë sistemin imunitar – mbrojtësin e trupit kundër baktereve – duke rritur rrezikun për infeksione.
Ndërhyrje në sistemin urinar. Ndërhyrjet kirurgjikale apo ekzaminimet në traktin imunitar, që bëhen me instrumente mjekësore, mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e infeksioneve.
Përdorimi i zgjatur i kateterave urinare. Njerëzit që nuk mund të urinojnë vetë dhe përdorin një tub (katetër) për të urinuar, janë më të rrezikuar nga infeksionet urinare. Këtu përfshihen njerëzit që sapo i janë nënshtruar një operacioni, njerëzit me probleme neurologjike, që e kanë të vështirë të kontrollojnë procesin e urinimit, dhe të paralizuarit.
One Comment
-
Infeksionet urinare, ja pse nuk duhet t’i nënvlerësojmë | Jo Tabu
