Himeni, jo domosdoshmërisht tregues i virgjinitetit
Rustem Celami, mjek obstetër-gjinekolog
Virgjëria lidhet ngushtë vetëm me aspektin fizik të membranës himeneale ose, sikurse njihet ndryshe më kuptueshëm nga popullata, cipa e virgjërisë. Kjo membranë rrethon vaginën në tërë introitusin (hapësirën e jashtme vaginale) ose në mënyrë të pjesshme, dhe është kufiri ndarës i organeve të jashtme gjenital me ato të brendshme. Ajo vjen në forma të ndryshme nuk ka ndonjë funksion fiziologjik shëndetësor. Në disa raste vjen në formën e bllokimit të plotë të hapësirës së jashtme të vaginës, një formë patologjike kjo që quhet himen i pa përforcuar. Kjo krijon grumbullimin e ciklit menstrual në vaginë.
Tani, për sa i përket formave të membranës së himenit, ato janë të ndryshme: në formë hëne, gjysmë hëne, ylli, në formë septum, kribiforme/me vrima, etj.
Dëmtimi cipës/membranë himeneale ndodh zakonisht në marrëdhënien seksuale penetruese, që mund të shkaktojë gjakosje dhe diskomfort, por jo në tërë rastet shkakton hemorragji. Kjo membranë himeneale mund të dëmtohet edhe pa kryer marrëdhënie seksuale, si në rastin e një traume në organet gjenitale, ushtrime fizike të ndryshme, ngasja e biçikletës etj. Membrana himeneale nuk restaurohet vetvetiu, nëse është dëmtuar njëherë, restaurohet vetëm me intervent mjekësor, që quhet himenorafi (restaurim të himenit).
Pra, për këto arsye sa u thanë më lart, gjendja e himenit jo domosdoshmërisht është indikator i virgjinitetit, megjithëse vazhdon të quhet e tillë në shumë kultura e besime të ndryshme në botë, përfshirë edhe vendin tonë, Shqipërinë.
Rivirgjërimi, kërkesë jo vetëm nga gratë e paarsimuara
Në Shqipëri rivirgjerimi është një procedurë që kërkohet, jo vetëm nga gratë e paarsimuara apo nga zonat e thella të vendit, por nga të gjitha. Gjithsesi, të paktën vitet e fundit, nuk është fenomen që të jetë shqetësues, pra me kërkesa të jashtëzakonshme, sikurse mund të ketë qenë në fillim të viteve ‘90. Kjo vjen për shumë arsye, ndoshta brezi i ri është larguar nga ky fenomen kulturor, e shikon partnerin e partneren si një vlerë njerëzore në kompleks, e jo të shikojë atë njollën e gjakut si indikator virgjërie apo besnikërie. Në vendin tonë, por jo vetëm, sepse janë edhe vende të ndryshme apo popullata me etni të ndryshme, qofshin këta të lindur e rritur në perëndim, që e kërkojnë virgjërinë në bashkëshorten e tyre të ardhshme.
Në tërësi, në perëndim, si në rastin e SHBA, ka një tendencë të dëshirës për ta humbur vrigjinitetin në adoleshencë, sepse në kolegj apo universitet do të etiketohen si pa eksperiencë apo si jashtë mode. Gjithsesi, edhe në perëndim, meshkujt kanë një lloj krenarie kur ata janë zhvirgjëruesit e parë, por në përgjithësi nuk e kanë këtë tabu për virgjërinë, sikurse e kanë disa kultura të ndryshme (vendet arabe, Indi, vendet latine dhe aziatike) përfshirë Shqipërinë.

Restaurimi i virgjërisë, procedurë kozmetike
Kjo procedurë njihet në gjinekologji, por futet te procedurat kozmetike dhe nuk është procedurë që rimbursohet dhe realizohet në shërbimin shëndetësor publik.
Pra, nuk justifikohet klinikisht si procedurë, sepse, për hir të së vërtetës, kjo procedurë në pjesën më të madhe kryhet ose në spitale publike (e kamufluar me emërtim tjetër procedurë mjekësore në kartelën mjekësore) ose në klinika private, sepse në spitalet private kjo procedure kushton shumë më shumë dhe për shumicën është e shtrenjtë për ta përballuar ekonomikisht. Shërbimi i kirurgjisë kozmetike për rivirgjërimin janë të pranishme në vendet perëndimore, Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Kthehen emigrantët, rritet numri i kërkesave për rikthim të virgjërisë
Ka raste që ka një fluks kërkesash, sidomos në periudhën e festave të fundvitit ose gjatë verës, me ardhjen e emigrantëve, që kërkojnë të krijojnë të gjejnë partneren e jetës, por që virgjërinë e kanë si kriter të rëndësishëm. Ka edhe raste kur partneri pasi ka kryer marrëdhënien e parë me partneren e tij dhe nuk ka vënë re njolla gjaku, kërkon ekzaminim nga personeli mjekësor. Edhe në këtë rast nuk është arsye klinike, por nëse kërkohet një gjë e tillë, kërkohet që të ketë një kërkesë nga personi në fjalë e të kryhet konform procedurave legale hospitalore, me një komision mjekësh gjinekologe prej 3 veta. Kemi edhe rastet e tjera të përdhunimit, dhe këtu pastaj kemi një rast sa klinik edhe legal, që ndërthuren së bashku, dhe gjithnjë vlerësimi bëhet me anë të një komisioni prej më shumë se dy specialistësh.
Ka disa lloj teknikash për kryerjen e kësaj procedure, dhe në përgjithësi jep efektin e duhur të gjakosjes në marrëdhënien e parë seksuale.
Si përfundim, është e vërtetë që akoma kërkohet si procedurë edhe në vendin tonë, dhe nuk ka të bëjë shumë me besimin fetar apo nivelin e arsimimit, është e influencuar më së shumti nga faktorë kulturorë dhe nga kërkesa e panegociueshme e partnerit. Nuk ka të dhëna statistikore, por, gjithsesi, nga perceptimi dhe realiteti, nuk rezulton ndonjë fenomen që ka tendencë rritjeje, për të mos thënë se është një fenomen që është më i paktë në numër, nëse do të krahasohej përpara disa dekadash, kjo referuar të dhënave informale, ndërmjet kolegëve.

Leave a Reply