COVID-19/ OBSH u përgjigjet pyetjeve më të shpeshta mbi pandeminë
Përgjatë javëve të fundit më shumë se 6 milionë pyetje rreth pandemisë COVID-19 janë bërë nga përdorues të Twitter-it. Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit, Twitter ka bashkëpunuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të dhënë përgjigje mbi disa nga pyetjet më të shpeshta:
Si mund të parandalojmë COVID-19 dhe të mbrojmë familjen?
Mënyrat më të mira për të mbrojtur veten dhe të tjerët është të lani duart rregullisht, të përdorni këndin e bërrylit kur kolliteni apo teshtini, dhe të mbani një distancë prej të paktën 1 metra larg nga njëri-tjetri.
Çfarë simptomash shfaqen dhe kur duhet të kërkoj trajtim mjekësor apo të qëndroj në shtëpi?
Simptomat më të zakonshme të COVID-19 janë temperaturë e lartë, kollë e thatë, lodhje, këputje. Disa pacientë mund të kenë: dhimbje të kyçeve, bllokim të hundëve, dhimbje fyti, diarre. Njerëzit që kanë probleme me frymëmarrjen ose dhimbje në kraharor duhet të kërkojnë menjëherë kujdes mjekësor.
A mund të infektohen të rinjtë?
Të gjithë grupmoshat mund të infektohen, të sëmuren dhe të përhapin koronavirusin. Të moshuarit dhe personat që vuajnë nga probleme të tjera shëndetësore, si astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, janë më të rrezikuar që të pësojnë komplikacione më të rënda. Të gjithë jemi të rrezikuar dhe është në dorën e të gjithëve parandalimi i përhapjes së COVID-19.
Si trajtohet COVID-19?
Deri tani, nuk ka ndonjë vaksinë apo mjekime antivirale specifike ndaj COVID-19. Megjithatë, njerëzit me komplikacione më të rënda mund të kenë nevojë të hospitalizohen për të marrë trajtim jetë-shpetues, si oksigjen. Shumica e pacientëve shërohen falë këtij kujdesi shëndetësor.
A mund të jesh i infektuar me COVID-19 edhe nëse nuk shfaq simptoma?
Disa njerëz mund të jenë të infektuar dhe të mos shfaqin asnjë simptomë. Shumica e njerëzve (rreth 80%) janë shëruar pa pasur nevojë për hospitalizim.
Ku gjenden testet?
Disa shtete kanë zhvilluar ose i kanë gjetur testet vetë. Për të ndihmuar shtetet që kanë nevojë për mbështetje, OBSH po bashkëpunon me kompanitë për të siguruar furnizimin dhe shpërndarjen e drejtë – deri tani janë tregtuar më shumë se 1.5 milionë teste laboratorike në më shumë se 126 shtete.
Çfarë do të thotë distancim social?
Mbajtja e distancës të paktën 1 metër larg nga njëri-tjetri. Përse? Kur një person i infektuar kollitet, teshtin ose flet, mund të përhapë virusin tek një person tjetër nëpërmjet pikave të pështymës.
A mund të kryejmë aktivitet fizik në ambient të jashtëm?
Rekomandohet 30 minuta aktivitet në ditë për të rriturit dhe 1 orë për fëmijët. Nëse udhëzimet lokale ju lejojnë, dilni për një shëtitje, vrap, xhiro me biçikletë, por duke mbajtur distancën nga të tjerët. Nëse nuk mund të dilni jashtë, kryeni aktivitet fizik në shtëpi, kërceni, bëni joga.
A do të ulen rastet me COVID-19 gjatë muajve të verës?
Mund të prekeni nga COVID-19 pavarësisht sa të larta janë temperaturat. Edhe vendet me klimë të ngrohtë kanë raportuar raste me COVID-19. Për t’u mbrojtur, sigurohuni të lani duart rregullisht dhe shmangni prekjen e syve, gojës dhe hundës.
Larja e rrobave në lavatriçe ndihmon në zhdukjen e virusit?
Po. Lani rrobat normalisht me detergjent ose sapun dhe ujë të nxehtë.
A janë maskat për fytyrë efikase?
Vetëm maskat për fytyrë nuk ju mbrojnë nga #COVID-19. Duhet të ndërmerrni patjetër edhe masa të tjera parandaluese, si qëndrimi të paktën 1 metër larg nga të tjerët dhe larja e duarve rregullisht.

Leave a Reply