Çfarë i shkakton menstruacionet e dhimbshme? Simptomat dhe trajtimi
Menstruacionet, ose periodat, janë gjakrrjedhje vaginale që ndodhin si pasojë e ciklit mujor te një grua. Shumë gra kanë perioda të dhimbshme, që njihen me termin dysmenorrhea. Dhimbjet menstruale janë dhimbje pulsuese, ngërçe në fund të barkut. Por mund të keni edhe simptoma të tjera si dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, të përziera, diarre dhe dhimbje koke. Dhimbjet menstruale nuk janë të njëjta me sindromën premenstruale (PMS). Sindroma Premenstruale shkakton simptoma të ndryshme, që përfshijnë shtimin në peshë, fryrjen e barkut, nervozizmin dhe lodhjen. PMS fillon një ose dy javë përpara fillimit të menstruacioneve.
Çfarë shkaktojnë periodat e dhimbshme?
Ekzistojnë dy lloje të dhimbjeve menstruale: fillestare dhe dytësore. Secili lloj ka efekte të ndryshme.
Dhimbja menstruale fillestare është lloji më i përhapur i dhimbjeve. Shkaktohet zakonisht nga niveli i lartë i prostaglandinave, të cilat janë kimikate që prodhon mitra. Këto kimikate i bëjnë muskujt e mitrës të shtrëngohen dhe relaksohen, dhe kjo shkakton ngërçe. Kjo dhimbje mund te nisë një ose dy dytë përpara fillimit të ciklit menstrual. Normalisht zgjat për disa ditë, por te disa gra mund të zgjasë më shumë.
Fillimisht ju keni dhimbje menstruale kur jeni më e re, kur sapo keni filluar të keni periodat. Me rritjen në moshë, ju keni më pak dhimbje. Dhimbjet ndoshta mund të ulen pasi të keni lindur fëmijën e parë.
Dhimbja menstruale dytësore zakonisht fillon më vonë. Kjo dhimbje shkaktohet nga faktorë që prekin mitrën, si endometrioza dhe fibroidet e mitrës. Kjo dhimbje përkeqësohet me kalimin e kohës. Kjo lloj dhimbjeje mund të nisë para fillimit të menstruacioneve dhe të vazhdojë pas përfundimit të menstruacioneve.
Çfarë mund të bëni për dhimbjet menstruale?
Për të lehtësuar dhimbjet menstruale, mund të provoni:
- Vendosni një napë të nxehtë ose një shishe me ujë të nxehtë në fund të barkut
- Bëni ushtrime fizike
- Bëni një dush të ngrohtë
- Ushtroni teknika relaksuese si joga dhe meditim
Ju gjithashtu mund të merrni qetësues dhembjesh pa recetë, siç janë ilaçet anti-inflamatore josteroide (NSAIDs), të cilat përfshijnë ibuprofen dhe naproksen. Përveç lehtësimit të dhimbjes, NSAID zvogëlojnë sasinë e prostaglandinave që prodhon mitra dhe ulin efektet. Kjo ndihmon për të lehtësuar ngërçet. Ju mund të përdorni qetësues kur keni simptomat e para të dhimbjeve ose sapo ju ka filluar cikli menstrual. Nuk duhet të përdorni qetësues nëse keni ulcera, probleme me stomakun, probleme me gjakderdhjen ose probleme me mëlçinë. Gjithashtu nuk duhet të përdorni qetësues nëse jeni alergjik ndaj aspirinës. Gjithmonë konsultohuni me mjekun përpara përdorimit, në qoftë se nuk jeni të sigurt nëse duhet t’i përdorni apo jo.
Gjithashtu në lehtësimin e dhimbjeve menstruale mund t’ju ndihmojë shmangia e përdorimit të alkoolit dhe duhanit.
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore për dhimbjet menstruale?
Për shumë gra, dhimbjet menstruale janë normale. Gjithsesi ju duhet të kontaktoni mjekun nëse:
- Qetësuesit dhe masat që merrni për qetësimin e dhembjeve nuk ju ndihmojnë
- Kur dhimbjet befas përkeqësohen
- Kur jeni mbi 25 vjeç dhe keni ngërçe të forta për herë të parë
- Kur dhimbjet menstruale shoqërohen me temperaturë
- Keni dhimbje dhe kur nuk ju vijnë menstruacionet
Si diagnostikohen shkaqet e dhimbjeve të forta menstruale?
Për të diagnostikuar dhembjet e forta menstruale, mjeku do t’ju pyesë për historinë mjekësore dhe do të bëjë një ekzaminim të legenit. Ju gjithashtu mund të bëni një ekzaminim me ultratinguj ose test imazherie. Nëse mjeku mendon se keni dhimbje menstruale dytësore, atëherë mund të bëni laparaskopinë. Është një ndërhyrje që i mundëson mjekut të shikojë brenda trupit.
Çfarë mund të bëni për trajtimin e dhimbjeve të forta menstruale?
Nëse dhimbja menstruale është parësore dhe keni nevojë për trajtim, mjeku mund t’ju rekomandojë përdorimin e hormoneve të tilla si pilula, unaza vaginale ose IUD. Një tjetër mundësi trajtimi janë qetësues që merrni me recetë.
Nëse keni dhimbje menstruale dytësore, trajtimi bazohet në faktorët dhe kushtet të cilët krijojnë problemin. Në disa raste mund të keni nevojë dhe për kirurgji.
Leave a Reply