
Çfarë duhet të bëjë një çift kur përballet me problemet e fertilitetit?
Nga Elton Peci, mjek gjinekolog
Kur kemi infertilitet?
Infertiliteti përkufizohet si pamundësia e një çifti për të arritur një shtatzëni pas 12 muajve të kontakteve seksuale të pambrojtura. Infertiliteti është një sëmundje e sistemit riprodhues që çrregullon funksionin më bazik të njeriut: riprodhimin. Infertiliteti nuk duhet të ngatërrohet me sterilitetin. Steriliteti është një gjendje e përhershme, e parikthyeshme (si për shembull femrat që lindin pa mitër) që pavarësisht progreseve të shkencës e ka të pamundur të lindin fëmijë.
Çfarë duhet të bëjë një çift kur përballet me problemet e fertilitetit?
- Duhet të kenë mbështetje reciproke mes partnerëve. Infertiliteti shkakton një nivel të lartë ankthi dhe stresi tek partnerët. Në një pjesë të rasteve ky presion i madh shoqërohet edhe me konflikte në çift. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se infertiliteti është një sfidë që duhet të përballohet nga të dy partnerët të cilët duhet të tregojnë mbështetje për njëri tjetrin dhe jo të luajnë lojën “kush e ka fajin”.
- Duhet të kenë kontakte të rregullta seksuale. Mos u ndikoni nga bisedat me shoqërinë tuaj që thonë se arritën shtatzëninë që në muajin e parë të përpjekjeve. Kjo është një legjendë. Në praktikën tonë klinike, shohim shpesh herë çifte të reja që shqetësohen se kanë 6 muaj që përpiqen dhe janë të stresuar se përse shtatzënia nuk po vjen. Të tilla raste rekomandohen që të vazhdojnë përpjekjet edhe për 6 muaj të tjerë pa qenë nevoja për mjekime apo për analiza. Kjo sepse 90% e çifteve të reja do të arrijnë shtatzëninë brenda vitit të parë të përpjekjeve.
- Të llogarisin ditët fertile dhe të kenë kontakt më të shpeshta në këto ditë.
- Të ndjekin një stil jetese të shëndetshëm dhe një dietë të shëndetshme. Është fakt që problemet me fertilitetin janë më të shpeshta tek konsumatorët e duhanit, alkoolit apo tek obezët.
- Të kërkojnë ndihmën e mjekut në momentin e duhur.
- Të zgjedhin mjekun specialist në (in)fertilitet. Kjo do të shmangë humbjen e kohës dhe shpenzimet e pajustifikuara financiare për analiza apo trajtime të panevojshme.
Leave a Reply