Brenda vitit 2021, gati vaksina për HIV-in? Ja çfarë duhet të ndodhë
Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
Prisni! Prisni…
Pikërisht këtë ka bërë e gjithë bota që nga viti 1984: Në pritje të shpikjes së një vaksine efektive dhe të sigurt për trajtimin e HIV-it.
Atë vit, Margaret Heckler, e cila mbante postin e Sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA, u shpreh në një konferencë për shtyp: “ Shpresojmë se do të kemi një vaksinë gati për ta testuar brenda dy vitesh”, duke shtuar, “edhe një sëmundje tjetër e tmerrshme është gati të mposhtet nga durimi, këmbëngulja dhe gjenialiteti”.
Këto fjalë ofruan shpresë se një vaksinë kundër HIV-it do të ishte gati për t’u përdorur para fundit të vitit 1980. Në fakt, ky parashikim rezulton i gabuar edhe pas 30 vitesh. Por, pas vitesh pritjeje, ekspertët janë optimistë që vaksina kundër HIV mund të bëhet realitet brenda vitit 2021.
Testimet e tri vaksinave të ndryshme janë afër hyrjes në fazat e tyre përfundimtare, duke bërë që ekspertët të jenë optimistë për të ardhmen. Rezultatet e eksperimenteve të vaksinave – të njohura si HVTN 702, Imbokodo dhe Mosaico – do të publikohen brenda vitit të ardhshëm.
Drejtuesja e dy prej këtyre eksperimenteve, Dr. Susan Buchbinder, drejtoreshë e programit hulumtues të Brigde HIV në Departamentin e Shëndetit Publik në San Francisko, thotë se ‘ky është ndoshta një nga momentet më optimiste që kemi pasur”.
“Edhe një vaksinë pjesërisht e efektshme do të ishte “një përparim i jashtëzakonshëm” dhe “me të vërtetë do të kishte fuqinë për të ndryshuar trajektoren e epidemisë””, tha ajo.
Aktualisht po testohen tri vaksina, ku i pari, i njohur si HVTN 702, është lançuar në Afrikën e Jugut në vitin 2016. Kjo vaksinë bazohet tek mostra e mëparshme, RV144, që uli rrezikun e infeksioneve të HIV me rreth 30% gjatë një studimi të kryer disa vite më parë.
RV144 vazhdon të jetë e vetmja vaksinë ndaj HIV që ka rezultuar disi efikas kundër virusit të HIV, megjithatë shkencëtarët duan që ta bëjnë më të fortë.
Burimi: Forbes

Leave a Reply