A duhet të vaksinohen gratë shtatzëna? Kreu i Urgjencës: COVID mund të shkaktojë komplikacione serioze për jetën e foshnjave!
Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj i ka dhënë përgjigje një sërë shqetësimesh që qarkullojnë në lidhje me vaksinimin e grave shtatzënë, atyre që ushqejnë fëmijët me gji apo nëse vaksina kundër COVID shkakton fertilitet te gratë.
Ndërsa publikon një studim të bërë në Itali, Brataj thotë se COVID mund të shkaktojë komplikacione të rënda dhe serioze te gratë dhe po ashtu edhe te foshnjat.
Covid-19 mund të ketë manifestime më serioze te gratë shtatzëna sesa jashtë shtatzënisë. Shtatzënitë e ndërlikuara nga Covid-19 më shpesh çojnë në lindje të parakohshme, e cila mund të rrezikojë seriozisht jetën e foshnjës dhe të krijojë të gjitha komplikimet tipike të lindjes së parakohshme. Virusi SARS-CoV-2 mund të transmetohet, edhe pse rrallë, nga nëna tek fetusi dhe të shkaktojë raste të rralla të Covid-19 neonatale, madje edhe të rënda. Covid-19 në moshën pediatrike mund të ketë pasoja serioze jo vetëm në fazën akute, por edhe pas disa javësh siç është sindroma inflamatore multi-sistemike (PIMS)”, shkruan ai.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Brataj shton se antitrupat e prodhuar nga nënat e vaksinuara, kalojnë në gjakun e fetusit përmes placentës dhe në qumështin e gjirit, duke mbrojtur kështu të sapolindurit dhe foshnjat.
“Përvoja e grumbulluar në këta muaj të fushatës së vaksinimit, e kombinuar me të dhënat paraklinike, tregon qartë se si vaksinat me mRNA janë absolutisht të sigurta për gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji. Në disa qendra referimi në të gjithë botën (të tilla si Parisi, Izraeli, Belgjika, Irlanda, SHBA), vaksinimi gjatë shtatzënisë ofrohet në mënyrë rutin. Nuk ka kundërindikacione të veçanta për shtatzëninë, ato janë të njëjtat si pjesa tjetër e popullsisë për vaksinimin. Vaksina nuk ndikon në fertilitetin e gruas, as nuk ka ndonjë arsye për të shtyrë një shtatzëni”, thotë kreu i Urgjencës.
Ai shton se vaksina nuk ndikon në fertilitetin e gruas dhe as nuk ka ndonjë arsye për të shtyrë një shtatzëni.
“Prandaj apeli përfundimtar i shoqërive shkencore është:
– Të promovohet vaksinimi i grave shtatzëna.
– Të promovohet vaksinimi gjatë ushqimit me gji(laktacionit).
– Të promovohet vaksinimi i fëmijëve mbi moshën 12 vjeç (dhe më i vogël kur vaksinat e dedikuara janë në dispozicion)”, përfundon postimin e tij Brataj.
Leave a Reply