7. Rritje e aktivitetit seksual, rritje e shembujve negativ
Shqipëria konsiderohet një popullsi në moshë të re. 18 % e saj i përket moshës 15- 24 vjeç megjithatë të rinjtë shpesh nuk konsiderohen “si prioritet” ndërmjet sfidave dhe çështjeve të ditës. Të rinjtë në përgjithësi ndeshen me një numër nevojash të paplotësuara, kjo është karakteristikë edhe për fushën e shëndetit seksual, atë riprodhues dhe të drejtave (QSHPZH, 2013).
Adoleshenca karakterizohet nga ndryshime të rëndësishme psikologjike dhe sociale të cilat i vendosin adoleshentët në një risk të madh ndaj problemeve të shëndetit riprodhues dhe seksual. Shqetësimi rreth shëndetit riprodhues dhe seksual të adoleshentëve është rritur për shkak të rritjes së pashëmbullt të masës së aktivitetit seksual, shtatzanive të hershme dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme duke përfshirë edhe virusin HIV midis adoleshentëve.
Megjithatë nevojat e adoleshentëve janë shumë pak të kuptuara dhe të shërbyera në disa vënde të botës edhe pse 35 % e popullsisë janë midis moshës 10 – 24 vjeç. Këto nevoja në lidhje me shëndetin riprodhues as nuk janë adresuar në mënyrë të përshtatshme dhe as nuk janë bërë kërkime në këtë drejtim. Aktiviteti seksual i hershëm dhe i pambrojtur si edhe keqkuptimet në lidhje me HIV/AIDS janë gjërësisht të përhapura në mes të adoleshentëve (ICPD, 1994).
Burimi: Ana Subashi

Leave a Reply