55.Çfarë është depistimi për kancerin e Mitrës?
Depistimi për kancerin e qafës së mitrës është ekzaminimi/kontrolli për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat nuk kanë ende shenja dhe mund të ndihen të shëndetshme. Programet e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës synojnë të depistojnë pjesën më të madhe të mundshme të grave që janë në objektiv të programeve kombëtare, si dhe të sigurojnë menaxhimin e duhur për të gjitha ato që kanë rezultat pozitiv ose anormal të testimit.
Rezultati kryesor pozitiv i depistimit është zvogëlimi i kancerit të qafës së mitrës nëpërmjet zbulimit dhe trajtimit të rasteve të parakancerit, përpara se ato të përparojnë në kancer. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) rekomandon që depistimi i grave për kancerin e qafës së mitrës të bëhet ndërmjet moshës 30 dhe 49-vjeçare; depistimi, qoftë edhe vetëm një herë, ul shkallën e vdekjeve nga kanceri i qafës së mitrës. Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap-testi, kontrolli pamor me acid acetik/VIA, testimi për HPV.
Meqenëse jo të gjitha gratë me rezultate pozitive në depistimin e qafës se mitrës kanë parakancer, një test diagnostikues pasues përdoret për diagnozën përfundimtare ose konfirmimin e parakancerit apo kancerit. Testet diagnostike më të përdorura për parakancerin e qafës së mitrës janë kolposkopia, biopsia dhe kyretazhi endocervikal. Metodat e mjekimit të parakancerit të qafës së mitrës mund të jenë amputive (shkatërrimi i indeve anormale me djegie ose ngrirje), ose me heqje (heqje kirurgjikale e indeve anormale).
Burimi: ACPD-Qendra për Popullsinë dhe Zhvillimin

Leave a Reply