1094 km drejt “Ligjit për Rininë”
Të rinjtë e Shqipërisë për herë të parë do të kenë një ligj të dedikuar plotësisht për ta. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nëpërmjet Drejtorisë së Rinisë dhe zëvendësministrit Shpati Kolgega ka nisur një tur takimesh në të gjithë vendin me të rinjtë për të marrë kontributin e tyre që ky ligj të jetë sa më gjithpërfshirës dhe me vlerë.
Një autobus me sloganin “1094 km drejt ligjit për rininë” është stacionuar në 12 qarqe të vendit, ku janë mirëpritur idetë e të rinjve për të udhëtuar të sigurt drejt së ardhmes evropiane që duam.
Pjesa më e madhe e të pranishmëve kërkuan më shumë hapësira të sigurta, mbështetje financiare, aktivitete të organizuara në rang kombëtar e pjesëmarrje pranë institucioneve vendimmarrëse.
Projektligji e përfundon rrugën e tij prej 1094 kilometrash më 22 nëntor në kryeqytet, nga ku pritet të finalizohet edhe drafti, që do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë. Kopja e plotë e dokumentit gjendet gjithashtu në faqen zyrtare të MASR, si dhe në atë të konsultimeve publike.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë inciativë kanë dhënë dhe dy organizatat ndërkombëtare, UNFPA Albania dhe Olof Palme International Center, të cilat e kanë përkrahur qysh në hapat e para procesin.
Në ndihmë të gjithëpërfshirjes do të vijë edhe mekanizmi i UNICEF dedikuar kësaj grupmoshe, i quajtur U Report, përmes së cilit do të realizohen disa pyetësorë online. Kështu do të sigurohet që zëri i rinisë shqiptare do të jetë vendimtar, në çdo rresht të shkruar të ligjit të tyre, prej vetë atyre./ JoTabu.al

Leave a Reply