Zëri i të Rinjve: Njihuni me Marjo Rabiaj
Që 14 vjeç Marjo Rabiaj është bërë pjesë e rrjetit rinor Y-Peer Albania, duke iu bashkuar në çdo nismë që ky rrjet ka ndërmarrë për fuqizimin e të rinjve. Vullnetarizmi është për të çelësi i bashkëpunimit mes të rinjve, pa asnjë lloj interesi.
Si student i mjekësisë, shtysën për t’u bërë pjesë e shoqërisë civile, si vullnetar, ai e lidh me ADN-në, zemërgjerësinë dhe dëshirën për të bërë mirë.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga Shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, doktori i ardhshëm flet më shumë për eksperiencën e tij si vullnetar, përfshirjen në rrjetin Y-Peer dhe përse i inkurajon të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e shoqërisë civile, si vullnetar.
Mund të më flasësh pak për veten? (Mosha, arsimimi, eksperienca pune apo përfshirja në grupet vullnetare).
Unë jam Marjo Rabiaj. Jam 18 vjeç dhe për momentin studioj në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Dega Mjekësi e Përgjithshme. Që prej 4 vitesh kam filluar të marr pjesë në aktivitete të organizatave të ndryshme, kryesisht me rrjetin Y-PEER.
Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Kur dëgjoj fjalën vullnetarizëm, menjëherë më vjen në mendje puna altruiste, pra puna e bërë pa pasur qëllim të fitosh diçka. Vullnetar janë të gjithë ata persona të cilët kanë dëshirë të bëjnë një punë e cila nuk paguhet, por bëhet në të mirë të shoqërisë. Jo të gjithë e perceptojnë njësoj fjalën vullnetarizëm. Shumë të rinj e perceptojnë pozitivisht, sepse e dinë që nga puna vullnetare ti mund të fitosh eksperience për një punë të rëndësishme në të ardhmen, duke arritur më lehtë qëllimet që i ke vënë vetes.
Të jesh vullnetar…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Te jesh vullnetar do të thotë të bësh diçka që ti e ndjen dhe ke dëshirë për ta bërë atë gjë, pavarësisht se nuk do të marrësh diçka konkrete në këmbim. Të jesh vullnetar do të thotë të përmirësosh jetën e komunitetit ku ti jeton, pra të kesh një zemër të gjerë dhe dëshirën për të bërë mirë.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizmi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Në fakt, të gjitha këto më kanë dhënë një shtysë që unë të bëhesha pjesë e shoqërisë civile. Sigurisht që të fitoja eksperiencë ishte një nga qëllimet e mia, sepse do më ndihmojë në rrugën time në të ardhmen, por që t’i bëja mirë shoqërisë ka qenë gjithmonë në ADN-në time, kështu që vendosa t’i bashkohesha organizatave për të bërë diçka më ndryshe në jetën time.
Mendon se ia vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetar? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Po, përfshirja ime si vullnetar ia ka vlejtur dhe do ia vlej akoma. Unë e vlerësoj shumë këtë eksperiencë, sepse përveçse ndjenjës së kënaqësisë që ti merr kur bën mirë, më ka ndihmuar edhe në shumë gjëra të tjera, siç është përfshirja në grupe të ndryshme apo njohja me njerëz të mirë, që sigurisht më kanë ndihmuar të fitoj eksperiencë dhe të mësoj diçka më shumë në lidhje me fusha të ndryshme.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Po, sigurisht që do t’i inkurajoja, sepse të rinjtë shqiptarë kanë shumë nevojë të bashkëpunojnë me njeri tjetrin për të krijuar një shoqëri sa më solide, dhe vullnetarizmi është çelësi i bashkëpunimit midis të rinjve, sepse duke qenë vullnetarë ata bashkëpunojnë me njëri-tjetrin përkundrejt asnjë lloj interesi. Këshilla ime do ishte që nëse çdokush ka mundësi të bëhet pjesë e një organizate për të bërë më pas punë vullnetare, nuk duhet ta anashkalojë, pasi kjo i ndihmon në të ardhmen e tyre, duke u dhënë një formim akoma më të mirë.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Po, në Shqipëri ka shumë organizata të cilat i tërheqin të rinjtë si vullnetarë. Y-PEER ka qenë ajo që më ka përfshirë mua për herë të parë në aktivitetet e shoqërisë civile, dhe aty kam parë që shumë të rinj, ashtu si unë, ishin shumë të lumtur që ishin pjesë e saj. Kjo për shkak se mënyrat e zhvillimit të aktiviteteve ishin shumë tërheqëse dhe i përfshinin të gjithë të rinjtë, duke mos ua bërë monotone. Mësimi me anë të lojërave nëpër trajnime unë e shikoj si diçka pozitive dhe që duhet të vazhdojë akoma të bëhet nga organizatat.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Organizatat duhet të gjejnë mënyra të ndryshme që të rinjtë jo vetëm të bëjnë punë vullnetare, por edhe të kënaqen në atë që bëjnë. Argëtimi duhet të jetë një pikë e rëndësishme e punës vullnetare.

Leave a Reply