Zëri i të Rinjve: Njihuni me Laze Aliaj
Bisedoi: Blertina Koka
Laze Aliaj vazhdon studimet për Mjekësi. Eksperiencën e saj si vullnetare ajo e përshkruan me një fjali. “Më i pasur je atëherë kur më shumë jep!”
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Laze Aliaj flet më shumë për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet bërë për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Dëshira dhe vullneti që në vogëli për të ndihmuar të tjerët, do të përmbushen plotësisht me ushtrimin e profesionit më human, si ai i mjekut. Deri atëherë, doktoresha e ardhshme do të vazhdojë të angazhohet si vullnetare në nisma të ndryshme humanitare dhe aktivitete për të rinjtë.
Laze, një prezantim për të gjithë ata që s’të njohin…
Unë jam Laze Aliaj, 22 vjeç, nga qyteti i Kukësit. Aktualisht jam studente e Universitetit të Mjekësisë, Fakulteti Mjekësi e Përgjithshme, viti i pestë. Që e vogël dëshira për të ndihmuar të tjerët ka qenë një ndjesi që më shoqëronte gjithë kohën. Me kalimin e viteve ndihmën ndaj të tjerëve arrita ta jap dhe me anë të organizatave të ndryshme jofitimprurëse ose dhe aktivitetet e ndryshme në shkollë. Ardhja në Tiranë më dha mundësi të njihesha me më shumë njerëz ose dhe organizata të ndryshme, kryesisht që lidhen dhe me degën ku aktualisht studioj.
Të jesh vullnetare dhe “Zëri i të Rinjve”…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Do e nisja përshkrimin e kësaj eksperience me fjalinë: “Më i pasur je atëherë kur më shumë jep!” Është një eksperiencë nga e cila merr shumë nga njerëzit që të rrethojnë apo që ke kontakt me ta, sepse merr lumturi. Ndihesh mirë me veten që je pjesë e një nisme që synon të ndryshojë diçka për mirë në shoqërinë tonë, sado i vogël të jetë ky ndryshim.
Çfarë të inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizmi, eksperienca që fiton apo trajnimet …
Nuk mendoj se njeriu ka nevojë që të inkurajohet që të bëhet pjesë e shoqërisë civile si vullnetare. Është më shumë si një ndjesi që të plotëson në një farë mënyre. Primare për mua është të jap ndihmën time aty ku mundem dhe aq sa mundem. Duke qenë pjesë e shoqërisë civile si vullnetare, mund ta jap kontributin tim më së miri.
Mendon se ia ka vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Më shumë se për çdo gjë, njeriu ka nevojë për një fjale të mirë, mirënjohjen e dikujt, të shikojë buzëqeshjen që i ka dhuruar dikujt. Për mua këto janë shpërblimi që kam marr dhe ja ka vlejtur plotësisht. Është ajo çfarë ne i japim shoqërisë, dhe kjo na bën më të pasur shpirtërisht.
Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Nuk mund të them që ka të rinj që e perceptojnë vullnetarizmin si gjë negative, por që ka të rinj që nuk kanë dëshirë të jenë pjesë. Pra, një pjesë e të rinjve u duket si humbje kohe, pa ndonjë përfitim apo funksion. Por është në rritje numri i te rinjve që çdo dite e më shumë japin kontributin e tyre si vullnetarë. Të rinj që kanë dëshirën dhe vullnetin të bëhen pjesë dhe ku ka më mirë se mirësia që buron nga të rinjtë.
Sa të interesuar i sheh të rinjtë e Kukësit për t’u përfshirë në nismat humanitare si vullnetar?
Unë kam njohur shumë të rinj që përfshihen ose kanë dëshirë të përfshihen në nisma të tilla. Mundësitë që ofron qyteti i Kukësit nuk janë të shumta, por as te pakta nuk janë. Shumë të rinj fillojnë përfshirjen humanitare si vullnetar që në shkollat 9-vjecare dhe kjo vazhdon dhe më tutje.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Sigurisht që po! Një nga pyetjet që gjithsecili nga ne duhet t’i bëj vetes është: “Çfarë po i jap unë shoqërisë?”. Të rinjtë sot humbasin kohë të konsiderueshme edhe ne kafe, ndërkohë që këtë kohë mund ta shfrytëzojnë për të bërë diçka produktive. Jo të gjithë jemi të destinuar të lëmë gjurmë në shoqërinë tonë, por të gjithë mund të bëjnë gjeste të vogla, por me zemër të madhe.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet bërë për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Të bëhen një megafon për zërin e të rinjve. Sot të rinjtë kanë shumë nevojë të dëgjohen, të vlerësohen e mbi të gjitha të përkrahen. T’u jepet mundësia të japin kontributin e tyre jo vetëm në një rreth të ngushtë shoqërorë, por dhe më gjerë!/ JoTabu.al

Leave a Reply