
Si të filloni ushqimin te bebet
Përshtati në shqip: Anxhela Cami
Momenti kur mund të nisni me ushqimin plotësues varet gjithmonë nga zhvillimi i foshnjës. Nëse bebi mban kokën lartë dhe drejtë pa ndihmën e askujt, dhe shfaq interes për ushqime të reja, atëherë ky mund të jetë një sinjal për ju.
Mosha gjashtë muajshe rekomandohet si mosha kur duhen filluar ushqimet plotësuese. Në këtë moshë fëmija është gati nga aspekti i zhvillimit. Ushqyerja me qumështin e gjirit mbetet e rëndësishme sepse vazhdon ta furnizojë fëmijën me elementet mbrojtëse, që vetëm ai i përmban.
Nëse foshnja e nxjerr jashtë ushqimin në fillim, jini të durueshëm. Ai ose ajo duhet të mësojë se si të gëlltisë ushqimin. Kjo është arsyeja se pse ju duhet t’i jepni bebes vetëm një sasi të vogël të lugës me ushqim plotësues, në mënyrë që të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me këtë formë të re të të ushqyerit.
Ushqime plotësuese të mira për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës janë ushqimet që: Përmbajnë të gjitha lëndët ushqyese, janë të sigurta, pa kimikate, nuk kanë kocka apo copa që mund të mbysin fëmijën, janë të lehta për t’u përtypur, pëlqehen nga fëmija, janë të lehta për t’u përgatitur. Pas disa muajsh, fëmija do të hajë drithëra, perime, fruta, mish, peshk, vezë dhe produkte qumështi si kos dhe djathë. Në fillim mund të provoni t’u jepni foshnjave banane të shtypur, patate të ëmbla të ziera mirë, karotë, fruta si mollë, dardhë, por gjithmonë të gatuara dhe në formë pureje.
Ushqimet që duhet të shmangni
Janë disa ushqime që nuk duhet t’ua jepni asnjëherë fëmijëve
Qumështi i lopës. Qumështi i gjirit dhe qumështi formulë për bebe përmbajnë vlerat e nevojshme të vitaminave, lëndëve ushqyese dhe yndyrave për rritjen e fëmijës, që qumështi i lopës nuk i ka. Gjithashtu, fëmijët nën 1 vjeç nuk mund ta tresin plotësisht qumështin e lopës, prandaj mund t’u shkaktohen probleme me stomakun ose veshkat.
Mjaltë – Mos u jepni foshnjave mjaltë deri në moshën 1 vjeç. Disa mjekë sugjerojnë edhe deri në dy vjeç. Mjalti mund t’ju shkaktojë fëmijëve botulizëm.
Ushqime që shkaktojnë mbytje – Bebet nuk mund ta përtypin ushqimit, prandaj ata mund të mbyten nëse konsumojnë ushqime të forta. Kurrë mos u jepni bebeve një kokërr rrushi, një copë mollë, dardhë apo fruta.
Kini parasysh:
- Filloni ushqimin plotësues vetëm me një ushqim të ri dhe jo me ushqime të përziera. Kjo e ndihmon fëmijën të njohë shijet e ushqimeve të veçanta dhe prindin për të identifikuar ushqimet që mund t’i japin alergji fëmijës.
- Jepni të njëjtin ushqim për tre deri në shtatë ditë para se të shtoni një ushqim tjetër.
- Shenjat e alergjisë nga ushqimi mund të duan deri në pesë ditë deri sa të shfaqen. Shenjat përfshijnë skuqjen, të vjella, diarre ose probleme të frymëmarrjes.
- Ushqimi i parë duhet të jetë i lëngshëm. Trashësia dhe sasia e ushqimit ndryshon me rritjen e fëmijës.
Burimi: WebMD / JoTabu.al
Leave a Reply