Si ndikojnë patologjitë e ndryshme në cilësinë e jetës seksuale të meshkujve?
Për Jo Tabu, mjeku androlog Evin Dani
Në këtë moshë pacientit fillojnë t’i shfaqen një sërë sëmundjesh të shpeshta. Bëhet shumë i dukshëm hipertensioni apo sëmundje të tjera kardiake. Janë shumë më të shpeshta diabeti, obeziteti. Është shumë më e shpeshtë neuropatia periferike, ajo që quhet insulti cerebral. Janë më të shpeshta rritja e yndyrave.
Në kushte të tilla, kjo moshë merr shumë ilaçe. Përdorimi i shumë ilaçeve, përveç efektit në drejtim të kurimit të sëmundjeve bazë, kanë efekte sekondare në drejtim të disfunksionit erektil ose impotencës seksuale.
Te meshkujt, pas moshës 40 vjeç, nis ulja e nivelit të prodhuar të testosteronit, hormonit mashkullor kryesor. Kjo është një rënie graduale, por e vazhdueshme.
Tek një mashkull që ka ulje të nivelit të testosteronit, shenja e parë është ulja e dëshirës seksuale. Ndodh ulja e ereksionit dhe pamundësi për të kryer aktin seksual.
Meshkujt që kalojnë kufirin e të 40-ve ndeshen shpeshherë me problemin e prostatës, një organ i lidhur ngushtë me seksualitetin. Patologjitë e prostatës ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në dëshirën e mashkullit për të kryer seks, por në të njëjtën kohë kushtëzojnë edhe nivelin e erektimit apo pamundësinë e arritjes së orgazmës. Po ashtu, prostata mund të dëmtojë edhe pjellorinë e mashkullit.
Tashmë është e vërtetuar se me shfaqjen e problemeve në këtë organ, bie ndjeshëm libido ose, siç njihet ndryshe, dëshira për të kryer marrëdhënie seksuale. Edhe terapitë ndaj patologjive që shfaqen në prostatë japin çrregullimet e tyre në funksionimin seksual të meshkujve, pasi organet gjenitale janë të lidhura ngushtë edhe me funksionet urologjike.
Shenjat janë të dukshme, sidomos në ndryshimin e ndjesisë së orgazmës apo dhe ngjyrës së spermës. Kjo e fundit zëvendësohet në shumë raste nga lëngu spermatik që del në mënyrë të pavetëdijshme, por që në fakt nuk ka lidhje me kënaqësinë seksuale.
Megjithatë, ne jemi të lumtur të themi që jemi në gjendje t’u vijmë në ndihmë këtyre pacientëve. Skemat e mjekimit janë të ndryshme dhe thuajse me sukses të plotë. Në këtë moshë duhet pasur kujdes për të parandaluar ato që quhen aksidente nga marrja e këtyre mjekimeve, që ndonjëherë mund të jenë edhe fatale./ JoTabu.al

Leave a Reply