Si mund të zbulohet kanceri i gjirit?
Nëse ju jeni një nga këto gra me risk të lartë për kancer gjiri, ju mund të keni mundësi të kryeni:
- Teste depistuese në moshë me të re dhe më shpesh se rekomandimet;
• Vlerësim të riskut gjenetik;
• Disa trajtime parandaluese, si marrja e anti-estrogeneve ose kirurgjia profilaktike.
Ndiqni udhëzimet për ekzaminimet depistuese
Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për diagnostikimim e kancerit të gjirit mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur ka më shumë mundësi për t’u trajtuar. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi depistues, ndonjëherë mund të diagnostikohet kanceri kur nuk është, ose nuk arrin të diagnostikohet kur ka kancer.
Megjithatë, testet depistuese shpëtojnë me mijëra jetë.
Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
- Mamografia
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulëta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X. Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie. - Ekzaminimi klinik i gjirit
Një ekzaminim klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar.
Lloji dhe shpeshtësia e testeve depistuese në mosha të ndryshme
Nëse ju jeni: 40-49 vjeç
Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Flisni me mjekun rreth rrezikut të kancerit të gjirit, përfitimet dhe rreziqet nga mamografia.
Nëse ju jeni: 50-69 vjeç
Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Mamografi çdo 2 vjet.
Nëse ju jeni: Mbi 70 vjeç
Ju duhet: Të flisni me mjekun se sa shpesh duhet të testoheni për kancer gjiri.
Shumë gra janë në jetë sot për arsye sepse ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri.
Çfarë duhet të kuptojmë me dijeninë për gjinjtë?
Një pjesë e rëndësishme e kujdesit për trupin tuaj është njohja e gjinjve tuaj dhe mënyra se si ata ndryshojnë gjatë gjithë jetës.
Njihni gjinjtë tuaj
Nuk ka rëndësi se çfarë moshe keni, për të pasur gjinj të shëndetshëm, duhet të fillojmë me njohjen e tyre. Bëhuni e vetëdijshme për të kuptuar se çfarë është normale tek gjinjtë tuaj. Kjo arrihet vetëm duke bërë një kontroll të rregullt të tyre.
Shumë gra e zbulojnë vetë kancerin e gjirit të tyre, vetëm dukë parë dhe ndjerë ndryshimet në gjinjtë e tyre.
Indet e gjirit mbulojnë një sipërfaqe më të madhe se sa vetë gjinjtë. Shtrihen nga klavikula dhe nga sqetulla dhe përgjatë kockës së kraharorit. Gjiri mbështetet në muskujt e gjoksit që mbulojnë brinjët.
Gjinjtë duhen kontrolluar vazhdimisht
Kontrollo, prek dhe shiko të gjitha pjesët e gjirit, afër gjirit dhe nën sqetullave.
Njihni indet e gjirit tuaj duke i parë dhe ndjerë gjinjtë tuaj. Njihni gjinjtë tuaj dhe çfarë është normale për ju, sipas asaj që funksionon më mirë për ju. Gjeni mënyrën që të mësoheni me gjinjtë, dhe të zgjidhni mënyrën më të rehatshme për ju.
Është normale që gjinjtë tuaj t’i ndieni të fortë dhe të dhimbshëm para menstruacioneve. Indet e gjirit ndryshojnë edhe me moshën. Prandaj, për të kuptuar se çfarë është normale për ju, do t`ju ndihmojë të njihni dhe të dini se çfarë t’i raportoni mjekut.
Shumë kokrra që mund të prekni nuk janë kancer gjiri.
Prandaj, flisni dhe tregojini mjekut nëse vëreni në gjinjtë tuaj ndonjë ndryshim si:
- Gjëndër apo kokërr në gji ose nën sqetull;
• Ndryshim në formë ose në madhësi të gjirit;
• Ndryshim në lëkurën e gjinjve tuaj. si gropëza ose tërheqje;
• Skuqje, ënjtje në gjinjtë, përreth tyre apo nën sqetull;
• Futje brenda të thumbit së gjirit;
• Rrjedhje lëngu nga thitha e gjirit;
• Kore ose luspa në thithën e gjirit;
• Puçrra të imta në majë të gjirit apo përreth tij;
• Dhimbje e vazhdueshme në një pjesë të gjirit apo nën sqetull.
Pritja për rezultatet e ekzaminimeve nuk është e lehtë. Nëse ju raportoni një ndryshim mjekut tuaj, ose mamograma që ju keni bërë tregon diçka që nuk është normale, atëherë do t’ju duhet të bëni disa ekzaminime të tjera për të parë nëse është kancer apo jo.
Njohuri të rëndësishme për gjinjtë tuaj:
- Kuptoni se çfarë është normale për ju;
• Kuptoni se çfarë ndryshimesh duhet të kërkoni dhe të prekni;
• Shiko, prek dhe kontrollo;
• Shkoni te mjeku për çfarëdolloj ndryshimi pa vonesë;
• Bëni kontrollin e gjirit, sidomos nëse jeni në moshën 50 vjeç e sipër.
Zvogëloni rrezikun
Ju nuk mund të ndryshoni shumicën e faktorëve të rrezikut për kancerin e gjirit, si sëmundjet tuaja familjare ose menstruacionet në moshë shumë të re, por ajo çka ju mund të bëni lehtësisht, është ndryshimi i disa faktorëve, si pesha juaj apo dieta e asaj çfarë konsumoni.
Për zvogëlimin e rrezikut …
- Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme;
• Kryeni rregullisht aktivitet fizik;
• Konsumoni ushqime me yndyrna të pakta;
• Konsumoni perime dhe fruta;
• Mos konsumoni alkool;
• Konsultohuni me mjekun për përdorimin e kontraceptivëve ;
• Mos pini duhan dhe shmangni duhanpirjen pasive;
• Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj;
• Flisni me mjekun tuaj për vlerësimin e rrezikut tuaj;
Pyesni mjekun tuaj për ekzaminimet e gjirit që ofrohen në qytetin ku ju banoni. Konsultohuni me mjekun e qendrës suaj shëndetësore për çdo informacion që ju kërkoni të dini.
Ky informacioni mund t`ju ndihmojë ju të kuptoni më shumë rreth kancerit të gjirit dhe se çfarë mund të bëni ju për të zvogëluar rrezikun tuaj për këtë sëmundje.
Ndajeni informacionin me vajza dhe gra të tjera.
Për më tepër informacion, konsultoni portalin online të Institutit të Shëndetit Publik: www.ishp.gov.al .
Gjithashtu mund të shkarkoni materialet:

Leave a Reply