SHENJAT DHE SIMPTOMAT E HERPESIT GJENITAL
Herpesi gjenital është një infeksion i zakonshëm seksualisht i transmetueshëm (IST) që prek 12% të njerëzve midis moshës 14 dhe 49. Dy lloje të viruseve herpes mund të shkaktojnë herpes gjenital:
- Virusi herpes simplex i tipit 1 (HSV-1): Në mënyrë tipike shkakton herpes oral (flluska rreth gojës). HSV-1 zakonisht përhapet përmes kontaktit jo seksual me pështymë. Ju gjithashtu mund të transmetoni HSV-1 nga goja në organet gjenitale përmes seksit oral ose duke prekur organet gjenitale pasi prekni një plagë.
- Virusi herpes simplex i tipit 2 (HSV-2): HSV-2 është shkaktari më i zakonshëm i herpesit gjenital. Përhapet përmes seksit oral, vaginal ose anal (me ose pa plagë të pranishme). Mund ta transmetoni edhe duke prekur një plagë dhe më pas organet gjenitale ose anusin.
Pasi dikush ka HSV, virusi qëndron në trupin e tyre për gjithë jetën. HSV ndonjëherë nuk shkakton simptoma. Megjithatë, nëse zhvilloni simptoma, shenja më e zakonshme janë flluska ose plagë rreth organeve gjenitale, anusit ose gojës. Plagët mund të zhvillohen me shpejtësi ose gradualisht.
Flluska dhe plagë
Simptoma më e zakonshme e herpesit gjenital është flluska ose plagë në/ose rreth:
- Vaginës
- Penisit
- Anusit
- Uretrës
Nëse keni plagë, mund të vëreni se ato kanë karakteristikat dhe simptomat e mëposhtme:
- Flluska
- Qelb brenda plagëve që është i bardhë ose i verdhë
- Plagë me ngjyrë të kuqe ose të bardhë
- Flluska të rrumbullakëta dhe të vogla që janë zakonisht 1 deri në 3 milimetra në madhësi
- Flluskat që janë shumë ngjitëse
- Dhimbje, kruajtje dhe ndjesi djegieje
- Vështirësi në ecje, ulje ose përfshirje në aktivitet seksual
Urinim i dhimbshëm
Dhimbja gjatë urinimit (urinimi) është një tjetër simptomë e herpesit gjenital, veçanërisht kur ekspozoheni për herë të parë ndaj HSV. Kjo mund të ndodhë kur urina bie në kontakt me flluskat e herpesit në zonën gjenitale ose uretrës. Kjo mund të jetë veçanërisht e pakëndshme nëse ka plagë të hapura. Dhimbja mund të zgjasë disa çaste gjatë urinimit, por mund të vazhdojë për ca kohë më pas.
Nëse keni vështirësi gjatë urinimit me herpes gjenital, mund të ndërmerrni disa hapa për të lehtësuar simptomat. Këto përfshijnë:
- Pirja e shumë lëngjeve për të holluar urinën dhe për të zvogëluar irritimin
- Shpëlahuni me ujë të ngorhtë
- Marrja e një medikamenti për qetësimin e dhimbjeve urinare pa recetë (OTC) si AZO Standard ose Pyridium (fenazopiridina), veçanërisht nëse dhimbja vazhdon
Simptoma të ngjashme me gripin
Është e zakonshme të përjetoni simptoma të ngjashme me gripin kur merrni për herë të parë virusin. Këto simptoma ndodhin sepse sistemi juaj imunitar po i përgjigjet virusit për herë të parë. Në përgjithësi, nëse keni shpërthime të herpesit në të ardhmen, simptomat tuaja të gripit do të jenë më pak të rënda.
Simptomat e ngjashme me gripin mund të variojnë nga të lehta në të rënda dhe mund të përfshijnë:
- Dhimbje koke
- Lodhja
- Ethe
- Dhimbje muskulore ose dobësi
- Nyjet limfatike të fryra
- Humbje e oreksit
Simptomat tek fëmijët
Në shumicën e rasteve, fëmijët që kanë herpes gjenital e marrin HSV-1 përmes kontaktit joseksual, me pështymë. Zakonisht shoqërohet me plagë rreth gojës.
Nëse prekin një plagë HSV-1 dhe më pas mukozën e organeve të tyre gjenitale ose anusit, ata mund të transmetojnë HSV-1 në organet e tyre gjenitale. Fatkeqësisht, herpesi gjenital (HSV-2) mund të shfaqet edhe tek fëmijët që përjetojnë sulme seksuale ose abuzime.
Simptomat tek meshkujt dhe femrat
Simptomat e herpesit gjenital priren të jenë të ngjashme si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, por ato mund të jenë më të rënda tek femrat. Meshkujt zhvillojnë shpërthime në penis ose skrotum. Gratë zakonisht marrin plagë në zonën vaginale ose rreth anusit.
Shtatzënat gjithashtu mund të kalojnë herpesin gjenital tek foshnjat e tyre gjatë shtatzënisë ose lindjes. Herpesi mund të jetë shumë i rrezikshëm, madje edhe fatal, për të sapolindurit. Ndërsa gjendja nuk është e shërueshme, disa medikamente mund t’ju ndihmojnë të parandaloni dhënien e virusit tek të porsalindurit tuaj.
Duhet t’i drejtohemi mjekut?
Nëse dyshoni se keni herpes ose po përjetoni simptoma, është e rëndësishme të bëni testin. Ndërsa ekzistojnë teste të herpesit në shtëpi që mund të përdorni, është më mirë të konsultoheni menjëherë me mjekun nëse keni qenë të ekspozuar ndaj HSV. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për gratë shtatzëna ose personat kanë një sistem imunitar të dobësuar.
Ndërsa nuk ka shërim për herpesin, medikamentet antivirale mund të pakësojnë simptomat ose të parandalojnë shfaqjen e zakonshme të shpërthimeve. Trajtimi zvogëlon rrezikun e transmetimit të virusit te partnerët tuaj.
Ilaçe antivirale
Antiviralët punojnë duke parandaluar riprodhimin e virusit herpes në trup. Ofruesit e kujdesit shëndetësor mund t’i përshkruajnë këto ilaçe si për shpërthime të rastësishme ashtu edhe për shpërthime të shpeshta. Disa njerëz marrin antivirale kur ndiejnë fillimin e një shpërthimi, ndërsa të tjerë i marrin ato vazhdimisht si pjesë e terapisë së përditshme.
Përmbledhje
Herpesi shkaktohet nga HSV-1 ose HSV-2. Zakonisht zhvillohet herpes gjenital përmes HSV-2, që mund ta merrni përmes kontaktit seksual. Herpesi gjenital mund të shkaktojë flluska ngjitëse dhe të dhimbshme ose plagë në organet gjenitale, uretrën ose rreth anusit. Mund të përjetoni simptoma të tjera si urinim i dhimbshëm dhe simptoma të ngjashme me gripin.
Nëse dyshoni se mund të keni herpes gjenital, është e rëndësishme të kërkoni kujdes mjekësor për të menaxhuar simptomat dhe për të zvogëluar rrezikun e transmetimit te të tjerët.
Si të zvogëloni rrezikun
Nëse jeni seksualisht aktiv, mund të ndihmoni në zvogëlimin e rrezikut të prekjes ose përhapjes së herpesit me:
- Moskryerja e marrëdhënies seksuale
- Kryerja e marrëdhënies seksuale vetëm me një partner
- Përdorimi i mjeteve mbrojtëse, si prezervativët
- Kontrollimi i rregullt për herpes dhe IST të tjera
- Pyetni mjekun për barnat parandaluese antivirale
Burimet: Health /Përktheu për JoTabu.al: Anjela Hajdari
Leave a Reply