Sëmundja e perionit tek meshkujt, kujdes lojërat seksuale!
Dr. Evin Dani, mjek androlog
Sëmundja e perionit është një patologji që ndoshta haset jo shpesh, megjithatë është mjaft problematike për shkak të klinikës që paraqet (shtrembërim i penisit, dhimbje gjatë ereksionit dhe disfunksion erektil (impotencë seksuale). Të dhënat e fundit tregojnë që shpeshtësia e sëmundjes haset tek 1.5% e pacientëve nga mosha 30-39 vjeç dhe mbi moshën 70 vjeç kjo shifër rritet me 6%.
Sëmundja vjen në mënyrë graduale, pa e kuptuar dhe një ditë prej ditësh pacienti mund të vë re që në momentet e ereksionit ka një shtrembërim të penisit që mund t’i shkaktojë dhimbje, mundet të humbi anën estetike të penisit dhe ul aftësinë erektile për të kryer aktin seksual.
Është një patologji që vjen nga shkaqe që kanë të bëjnë kryesisht me traumat. Pra studimet e fundit janë kryesisht të përqendruara tek traumat që bën penisi. Një mashkull gjatë lojërave të ndryshme seksuale me partneren e tij në një moment të caktuar mund të krijojë një mikrotraum në penis. Kjo mikrotraumë shkakton një mikrohemorragji në tunikën albumike dhe duke u depozituar sasia e gjakut në këtë zonë fillojnë proceset inflamatore, fibrime, elemente të koagulimit të gjakut dhe formohet një pllakë aterosklerotike, një pllakë e fortë të cilën ne e konstatojmë gjatë vizitave me sëmundjen e peronit. Pllaka mund të jetë rrethore, mund të jetë sipërfaqësore e vogël apo e madhe dhe në varësi të pllakës shohim dhe dëmtimin.
Pacienti fillimisht nuk i vë rëndësi por me kalimin e kohës kjo bëhet më e dukshme, dhe sigurisht kërkon zgjidhje. Zakonisht është dhimbja ajo që e bën pacientin të shkojë tek mjeku.
Mjekimi
Mjekimi i kësaj patologjie ka disa skema (medikamente, injeksion, kirurgjikal, andropenis)
Një nga skemat e mjekimit është qëllimi për ta ulur këndin e përthyerjes, për të zvogëluar pllakën aterosklerotike e cila pastaj do të sjelli edhe përmirësimin e gjendjes.
Mjekimet medikamentoz (nga goja) konsiston në marrjen e vitaminës E dhe acidit paraminobenzonik. Një tjetër mjekim mund të jetë kolkicina, përsëri një preparat i cili vepron mbi pllakat atersklerotike, por mundësia për ta zgjidhur me mjekim nga goja këtë patologji është pak e vështirë. Mjekimi sigurisht vazhdon për një përiudhë kohore të gjatë 6 deri në 9 muaj, por ajo çka shohim ne nga rezultatet është se nuk mund të shkojnë më shumë se 30-40%.
Kryesisht në uljen e dhimbjes së penisit, mjekim që zgjidh problemin është duke bërë injeksione në pllakën e formuar me një gjilpërë të hollë e cila sjell shkatërrimin e kësaj pllake.
Mjekim tjetër është ai kirurgjikal. Drejtë mjekimit kirurgjikal i cili zgjidh përfundimisht problemin shkojmë vetëm atëherë kur shohim se nuk kemi rezultate të mira në mjekimin me preparate nga goja dhe atë me injeksione. Në mjekimin kirurgjikal ne vendosim protezë në pensi duke eliminuar trupat venoz. Me vendosjen e tubave të silikonit arrihet një rezultat mjaft i mirë i aftësisë penetruese.
Një mjekim tjetër, që e kemi përdorur kohët e fundit dhe po jep rezultate shumë të mira, është andropenis (një lloj aparati, i cili duke e mbajtur pacienti për një kohë 6-9 muaj, bën tërheqjen e penisit dhe pacienti e ndien veten shumë herë më mirë) një skemë mjekimi me rezultate mjaft të efektshme.
Parandalimi
Normalisht këto janë gjëra që ndodhin pa e kuptuar dhe nuk e parandalojmë dot. Ndryshimi i pozicionit të marrëdhënieve seksuale ndodh tek çdo person, në një moment të caktuar një lëvizje e pakujdesshme, qoftë nga ana e femrës, qoftë nga ana e mashkullit, mund të krijojë një gjendje të tillë. Pra, në rastin konkret nuk mund të themi se mund ta parandalojmë, sado i kujdesshëm të tregohet çifti./ JoTabu.al

Leave a Reply