Sa preken fëmijët nga COVID-19 dhe a duhet të përdorin maskën?
Prof. Dr. Gjeorgjina Kuli
“Maska është një nga mjetet mbrojtëse shumë të rëndësishme edhe për fëmijët e vegjël. Mosha e rekomanduar për fëmijët e vegjël që duhet të mbajnë maskë është 6 vjeç e sipër, sepse është një moshë që fëmijëve mund t’ju shpjegohet për rëndësinë e maskës; pse duhet mbajtur. Po kështu, mund të kombinohet në formë lojrash me personazhet e përrallave apo të botës së tyre për ta bërë pjesë të rëndësishme të përditshmërisë.
Maska është një mjet i vjetër mbrojtës ndaj shumë sëmundjeve infektive dhe i domosdoshëm për mbrojtjen ndaj sëmundjeve që hapen nëpërmjet spërklave të ajrit. Nuk është një mjet i ri, thjesht po vemë në përdorim një mjet që ka ekzistuar prej kohësh dhe që ka vërtetuar prej kohësh efikasitetin”
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF kanë përpiluar një raport mbi përdorimin e maskave bazuar në rrezikun që shfaq tek fëmijët. Ekspertët rekomandojnë se përveç përdorimit të maskës, mbajtja e distancës fizike, higjiena e duhur e duarve, shmangia e prekjes së gojës, syve dhe hundës, dhe ajrosja e duhur janë shumë të rëndësishme për parandalimin e përhapjes së virusit. Më poshtë do të gjeni disa këshilla për përdorimin e maskave nga fëmijët të përpiluara nga ekspertë të fushës.
Këshilla për të përcaktuar nëse fëmija duhet të mbajë maskë:
- Fëmijët deri në 5 vjeç nuk duhet të mbajnë maska pasi:
- Ndikon potencialisht në zhvillimin e fëmijës.
- Nuk arrin ta përdorë vetë maskën siç duhet.
- Për fëmijët nga 6 deri në 11 vjeç, duhet të merren parasysh faktorë të ndryshëm, si:
- Intensiteti i transmetimit në ambientin ku fëmija po qëndron, në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
- Sa i aftë është fëmija që ta përdorë siç duhet maskën, duke u mbikëqyrur edhe nga të rriturit.
- Për fëmijët mbi 12 vjeç, mbeten në fuqi rregullat që zbatojnë të rriturit, sidomos në zonat ku virusi është shumë i përhapur dhe distancimi fizik nuk mund të arrihet, kur fëmijët janë në një ambient me të moshuarit apo në shkollë.
- Për fëmijët që kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, çrregullime në zhvillim ose aftësi të kufizuara:
- Përdorimi i maskës nuk është i detyrueshëm dhe duhet të vlerësohet sipas rastit nga edukatori i fëmijës dhe/ose mjeku.
- Për disa fëmijë, mund të ketë një ndikim potencial në zhvillim psikosocial dhe të mësuarit, aftësinë për të komunikuar, kuptuar dhe shprehur ndjesitë, prandaj prindërit duhet të ndjekin këshillat e mjekut.
OBSH-ja dhe UNICEF-i e kanë përpunuar këtë udhëzim mbështetur mbi parimin që të “Mos Dëmtojmë Fëmijët”, duke njohur fazat e tyre të zhvillimit, mësimit dhe shoqërizimit.
Prindërit duhet të lexojnë gjithashtu me kujdes rekomandimet e dhëna nga Ministria e Arsimit për të përgatitur dhe edukuar si duhet fëmijët në përdorimin e maskës. Përdorimi I maskave mjekësore rekomandohet për fëmijët me sëmundje bashkëshoqëruese, ndërkohë që fëmijëve të cilët vuajnë nga sëmundje respiratore nuk duhet t’u kërkohet që të vendosin maska.
Maskat e fabrikës duhet të lahen dhe vendosen në një vend të posaçëm (në momentin që fëmija nuk e përdor), ndërsa maskat mjekësore mund të përdoren vetëm njëherë, prandaj rekomandohet që prindërit të furnizohen vazhdimisht me maska për përdorimin nga fëmijët sa herë të jetë e nevojshme.
Leave a Reply