Rreziku nga gripi, pse duhet të vaksinohen gratë shtatzëna
Vaksinimi ndaj gripit te gratë shtatzëna: Pyetjet më të shpeshta.
Sa i rrezikshëm është gripi te gratë shtatzëna?
Gratë shtatzëna që preken nga gripi mund të sëmuren shumë më rëndë sesa personat e tjerë. Studimet kanë treguar se gratë shtatzëna me një sëmundje respiratorë nga gripi kryejnë më shumë vizita mjekësore, më shumë shtrime dhe qëndrime të gjata në spital.
A duhet të imunizohen gratë shtatzëna kundër gripit sezonal?
Po. Vaksinimi kundër gripit është një element thelbësor i kujdesit prenatal, sepse gratë shtatzëna janë më tepër të rrezikuara për të kaluar një sëmundje të rëndë dhe vdekje nga gripi.
Raportet e rasteve dhe studimet tregojnë se shtatzënia mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të rënda mjekësore të gripit.
Përveç kësaj, mbrojtja e nënës nga vaksina është e vetmja strategji efektive për të sapolindurit, sepse përdorimi i vaksinës rekomandohet vetëm kur foshnjat janë mbi 6 muaj.
Gjatë cilit tremujor mund të merret vaksina e gripit?
Vaksina e gripit mund të merret në çdo kohë gjatë shtatzënisë. Gratë shtatzëna këshillohet ta marrin sa më shpejt që të jetë e mundur kur të jetë e disponueshme, dhe të këshillohen me gjinekologët e tyre ose ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor rreth imunizimit.
Cilën vaksinë të gripit duhet të marrin gratë shtatzëna?
Gratë shtatzëna duhet të marrin vaksinën e inaktivuar të gripit, e cila injektohet në rrugë intramuskulare, në krah.
Çfarë përmban vaksina kundër gripit?
Vaksina kundër gripit sezonal përmban pjesëza të viruseve të gripit që parashikohen të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit. Këto grimca janë ato të cilat sistemi imunitar i trupit tuaj përdor për të prodhuar kundërtrupat e nevojshëm për t’ju mbrojtur dhe fëmijën tuaj nga gripi.
Unë jam shtatzënë, a duhet të marr vaksinën e gripit?
Po. Vaksina e gripit është një mënyrë efektive dhe e sigurt për t’ju mbrojtur ju dhe fetusin tuaj nga sëmundjet e rënda dhe komplikacionet e gripit. Gratë shtatzëna dhe fetuset e tyre janë të rrezikuar ndaj komplikacioneve serioze nga gripi. Vaksina e gripit e dhënë gjatë shtatzënisë ndihmon në mbrojtjen e foshnjave më të vogla se 6 muaj, të cilët janë shumë të vegjël për të marrë vaksinën e gripit dhe nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të fituar kundërtrupa ndaj gripit. Vaksina ndaj gripit është aplikuar në miliona gra shtatzëna përgjatë këtyre viteve.
A do të më shkaktojë grip marrja e vaksinës së gripit?
Jo. Nuk mund ta merrni gripin nga marrja e vaksinës së gripit.
Kam marrë vaksinën e gripit, përse ende sëmurem?
Vaksina e gripit nuk të mbron nga të gjithë llojet e virusit të gripit. Vaksina e gripit gjithashtu nuk të mbron nga rrufa apo infeksionet e tjera respiratore të zakonshme. Pra, ju mund të sëmureni vetëm nga këto infeksione.
Çfarë tjetër mund të bëj për ta mbajtur fëmijën tim të shëndetshëm dhe të mbrojtur nga gripi?
Marrja e vaksinës së gripit gjatë shtatzënisë është hapi më i rëndësishëm për të mbrojtur veten dhe foshnjën tuaj kundër gripit. Pas lindjes, ju mund ta mbroni fëmijën tuaj duke e ushqyer me gji dhe duke u siguruar që anëtarët e tjerë të familjes të vaksinohen ndaj gripit.
Burimi: Instituti i Shëndetit Publik

Leave a Reply