Raporti i monitorimit të angazhimeve për rininë nga Bashkia Tiranë
Raporti i monitorimit të angazhimeve për rininë nga Bashkia Tiranë – Shtator 2019
Ky raport monitorimi u realizua nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) me ekspertizën e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve (Observatori), në emër të Rrjetit të Organizatave “Zëri i të rinjve”, në kuadër të projektit “Leave No One Behind” (“Askush të mos mbetet pas”), një Program i përbashkët i Kombeve të Bashkuara i financuar nga Agjensia Zviceriane për Zhvillim e Bashkëpunim (SDC) dhe zbatuar nga katër agjensi të Kombeve të Bashkuara: UNDP, UNFPA, UNICEF, dhe UN WOMEN në partneritet me qeverinë shqiptare. Ky projekt synon fuqizimin e personave vulnerabël në Shqipëri që të kenë akses të barabartë në shërbimet dhe mundësitë publike, të kenë një zë në vendimmarrjen publike që ndikon në jetën e tyre dhe t’u kërkojnë llogari zyrtarëve publikë, duke i mbajtur përgjegjës për dështimet apo arritjet.
Raporti u përgatit në kuadër të monitorimit të zbatimit të Deklaratës “Çfarë kërkojnë të rinjtë e Tiranës?”. Deklarata u nënshkrua në nëntor të vitit 2015 nga Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe përmban pesë çështje kryesore të ngritura nga të rejat dhe të rinjtë e Tiranës, për t’u adresuar dhe përmbushur nga Bashkia Tiranë.
Të dhënat mbi monitorimin e zbatimit të angazhimeve të ndërmarra nga Bashkia Tiranë përmes nënshkrimit të Deklaratës u mblodhën nga Observatori përgjatë periudhës kohore tetor 2018 – shtator 2019, sikurse ishte parashikuar edhe në planin e monitorimit të përgatitur për këtë qëllim, që në momentin e nënshkrimit të Deklaratës. Ky informacion u plotësua dhe përditësua edhe gjatë periudhës kohore janar – mars 2019.
Meqenëse treguesit e parashikuar në këtë plan monitorimi ishin tregues procesi, edhe monitorimi vetë u realizua në këtë formë pra monitorim i procesit apo arritjeve të deritanishme. Të dhënat e mbledhura janë të natyrës cilësore dhe mjetet e monitorimit të përdorura për këtë qëllim ishin kryesisht intervistat e thelluara të zhvilluara me 10 (dhjetë) të reja dhe të rinj të cilat/cilët kanë përfituar mbështetje nga Bashkia Tiranë në kuadër të nxitjes së sipërmarrjeve rinore, punësimit apo ideve kreative, si dhe me 2 (dy) të rinj anëtarë të Bordit Këshillimor Rinor, të ngritur pranë Bashkisë Tiranë. Pjesa tjetër e informacionit të nevojshëm për procesin e monitorimit u nxorr nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Bashkia Tiranë.
Si gjetje kryesore të monitorimit mund të përmendim se:
- Bashkia Tiranë përgjithësisht është angazhuar me seriozitet në adresimin dhe përmbushjen e të pesë pikave që përmban Deklarata “Çfarë kërkojnë të rinjtë e Tiranës?”.
- Nga matja e progresit të deritanishëm, rezulton se arritjet janë të dukshme në të pestë pikat e tjera të kësaj Deklarate. Më konkretisht rezultatet nga angazhimi i Bashkisë Tiranë në përmbushje të pesë pikave të Deklaratës, për këto tre vite, paraqiten në tabelën në vijim:


Bazuar në sa më sipër, për të ardhmen sugjerohet:
- Të rritet transparenca dhe llogaridhënia e Bashkisë Tiranë kundrejt qytetareve e qyetarëve dhe sidomos kundrejt të rejave e të rinjve, përmes publikimit në faqen e internetit të një tabele të thjeshtë e të kuptueshme me të dhënat mbi buxhetin e planifikuar dhe të shpenzuar për rininë, në tre vitet e fundit. Kjo tabelë duhet të përmbajë informacion të plotë për të gjitha projektet dhe iniciativat e realizuara dhe jo të paraqesë të dhëna në grup (p.sh. thjesht Buxheti i Drejtorisë së Rinisë). Shpenzimet administrative duhet të ndahen nga shpenzimet që lidhen me adresimin drejtpërsëdrejti të prioriteteve të rinisë.
- Të vihen në funksionim mekanizma monitorimi e vlerësimi që të mund të matet impakti dhe kosto-efektiviteti i të gjitha iniciativave të deritanishme të ndërmarra në drejtim të: nxitjes së sipërmarrjes rinore, punësimit dhe aftësimit të të rejave e të rinjve, si dhe për formimin profesional dhe nxitjen e ideve krijuese të tyre. Po kështu është mirë të monitorohet dhe vlerësohet impakti i aktiviteteve të realizuara në bibliotekat – qendra rinore multi-funksionale, si dhe të monitorohet se sa dhe si merren në konsideratë shqetësimet e përcjella në bashki nga të rejat dhe të rinjtë përmes Bordit Rinor Këshillimor. Efektiviteti i këtij të fundit duhet të rritet përmes vënies në funksionim të rregullores dhe marrjes së masave që, në anëtarësi, të ruhet balanca gjinore, etnike, e grupeve të pafavorizuara, etj.
- Të krijohen mekanizmat përkatës monitorues të impaktit që do të ketë përdorimi i kartës rinore.

Leave a Reply