Puberteti i vonuar tek vajzat, shkaqet dhe trajtimi
Përshtati: Blertina Koka
Puberteti është mosha e re, kur njeriu kalon nga fëmijëria në adoleshencë, periudha e moshës kur fillon edhe pjekuria seksuale. Puberteti fillon kur gjendrat e hipofizës nisin të prodhojnë dy lloje hormonesh: hormoni luteinizing (LH) dhe hormoni stimulues i folikulit (FSH), që shkaktojnë zmadhim të vezoreve dhe prodhim të estrogjeneve. Cikli i parë menstrual fillon 2-3 vite pas zhvillimit të gjoksit. Nëse një vajzë nuk ka zhvillim të gjoksit deri në moshën 13 vjeç, atëherë mund të ketë pubertet të vonuar.
Çfarë e shkakton vonimin e pubertetit tek vajzat?
Puberteti i vonuar tek disa vajza vjen thjesht si shkak i maturimit të vonë. Megjithatë, sapo kalojnë në këtë fazë, vajzat fillojnë të zhvillohen normalisht. Puberteti i vonuar konstitucional është më i përhapur tek djemtë se tek vajzat. Ai ka të bëjë me rastet kur djali apo vajza në prag puberteti kanë vonesa të shenjave sekondare seksuale dhe mund të dallohen nga shokët e moshës. Ky lloj puberteti zakonisht trashëgohet nga prindërit, vajzat kanë vonesë në ardhjen e ciklit menstrual.
Masa e ulët dhjamore në trup është shkaku kryesor i vonesës së pubertetit tek vajzat. Kjo haset zakonisht te vajzat që merren me gjimnastikë, balet ose not. Mund të vërehet edhe tek vajzat që vuajnë nga anoreksia ose që ndjekin një dietë shumë ekstreme.
Disa vajza me pubertet të vonuar mund të kenë probleme me vezoret, kur nuk zhvillohen si duhet ose janë të dëmtuara.
Shkaku më kryesor është sindroma Turner, ku mungon e gjitha ose një pjesë e dy kromozomeve X. Shumë vajza me sindromën Turner janë shumë të shkurtra për moshën ose kanë disa veçori dalluese fizike, si deformim të qafës apo qiellzë shumë të harkuar. Zakonisht sindroma Turner diagnostikohet para moshës 13 vjeç, për shkak të shtatit të shkurtër.
Trajtimi me rreze për disa lloje kanceri ose leucemie është një ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të vezoreve.
Disa vajza mund të kenë dëmtim të vezoreve edhe nga vetë sistemi i tyre imunitar.
Ndërsa vajza të tjera kanë pubertet të vonuar për shkak të mungesës së hormoneve të hipofizës LH dhe FSH, të quajtura ndryshe gonadotropine.
Si mund të trajtohet puberteti i vonuar tek vajzat?
Vajzat me pubertet të vonuar konstitucional mund të kenë vonesë në zhvillimin e gjoksit, por që me kalimin e kohës fillon të zhvillohet normalisht si gjoksi ashtu edhe pjesë të tjera të trupit.
Për vajzat me pubertet të vonuar dhe masë të vogël dhjamore në trup, ngrënia më shumë dhe më shëndetshëm, si dhe shtimi në peshë, mund të ndihmojnë në fillimin e pubertetit.
Për vajzat që nuk kanë mjaftueshëm vezore ose mungesë të hormoneve LH dhe FSH (gonadotropine), mjekët zakonisht rekomandojnë një trajtim me estrogjen në formë tableti ose një fashoje që aplikohet në lëkurë dy herë në javë. Fillimisht rekomandohen doza të ulëta të tij, pastaj fillojnë të rriten çdo 6 muaj./ JoTabu.al

Leave a Reply