OBSH: 1 në 4 persona mund të kenë probleme me dëgjimin deri në vitin 2050
2.5 miliardë njerëz në mbarë botën ─ ose 1 në 4 persona ─ mund të jenë me aftësi të kufizuara dëgjimi deri në vitin 2050. Në Ditën Botërore të Dëgjimit, 3 mars 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë lançoi një raport botëror mbi dëgjimin, i cili thekson se nëse nuk ndërmerren masa, miliona njerëz mund të kenë nevojë për kujdes shëndetësor për dëgjimin dhe shërbime të tjera rehabilituese.
“Aftësia për të dëgjuar është e çmuar. Humbja e dëgjimit mund të ketë një ndikim shkatërrues në aftësinë e njerëzve për të komunikuar, për të studiuar dhe për të bërë një jetë normale. Problemet me dërgjimin mund të ndikojnë gjithashtu në shëndetin mendor të njerëzve dhe ndërveprimin me të tjerët”, deklaroi Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.
“Ky raport i ri përshkruan shkallën e problemit, por gjithashtu ofron zgjidhje në formën e ndërhyrjeve të bazuara në shkencë, që çdo shtet duhet t’i integrojë në sistemet e tyre shëndetësore si pjesë e nismës për mbulim shëndetësor universal”.
Humbja e dëgjimit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin psiko-social të fëmijës. Identifikimi i hershëm i humbjes së dëgjimit, i ndjekur nga ndërhyrje të menjëhershme dhe të përshtatshme, mund të ndihmojë që fëmijët me probleme dhe humbje dëgjimi të gëzojnë mundësi të barabarta në shoqëri.
Mbi 30% e humbjes së dëgjimit te fëmijët është shkaktuar nga sëmundje të tilla si fruthi, shytat, rubeola, meningjiti dhe infeksionet e veshëve. Kur nuk trajtohen, infeksionet kronike të veshit çojnë në humbjen e dëgjimit dhe mund të shkaktojnë komplikacione dhe vdekshmëri. Infeksionet kronike të veshit janë të parandalueshme dhe mund të menaxhohen në mënyrë efektive përmes trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjeve kirurgjike.

Leave a Reply