Njohuritë, qëndrimet dhe sjellja në lidhje me HIV/AIDS
Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në fund të vitit 2017, mund të thuhet se Shqipëria mbetet një vend me prevalencë të ulët të HIV. Megjithatë, vihet re një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja, të diagnostikuara dhe vlerësimet e bëra flasin për një shtim të rasteve të padiagnostikuara.
23-30 nëntor shënoi edhe Javën Evropiane të Testimit për HIV dhe Hepatit. Java Europiane e Testimit për HIV u organizua për herë të parë në vitin 2013, për të promovuar përfitimet e testimit dhe trajtimit të hershëm të HIV-it.
Është më mirë për njerëzit në rrezik për HIV dhe/ose Hepatit të njohin statusin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. Sot, përparimet në trajtimin e HIV-it nënkuptojnë se njerëzit që jetojnë me HIV mund të jetojnë të shëndetshëm për një kohë të gjatë nëse ata diagnostikohen herët.
Kur njerëzit diagnostikohen me HIV me vonesë, ata kanë më pak gjasa të reagojnë mirë ndaj trajtimit, dhe kanë më shumë gjasa të kenë ndërlikime shëndetësore.
Cilat janë përfitimet e testimit …
Duhet të njihet sa më shpejt të jetë e mundur statusi pozitiv i një personi, sepse sa më shpejt të kapet aq më shumë mund të rritet jetëgjatësia dhe mundësia për t’u shëruar.
… për HIV?
- Ata që diagnostikohen herët me HIV kanë më shumë gjasa të përgjigjen mirë ndaj trajtimit dhe të jetojnë më shëndetshëm dhe më gjatë.
- Diagnoza dhe trajtimi i hershëm mund të zvogëlojë gjasat e transmetimit të mëtejshëm tek të tjerët.
- Ata që diagnostikohen më vonë kanë më shumë gjasa të kenë ndërlikime shëndetësore dhe vdekje të parakohshme.
Njohuritë për HIV/AIDS, transmetimin dhe metodat e parandalimit
Në Studimin Demografik dhe Shëndetësor 2017-18 (kliko këtu) u pyetën gra dhe burra dhe të moshës 15-49 vjeç nëse kishin dëgjuar për HIV-in. Ata që raportuan se kishin dëgjuar për HIV më pas iu nënshtruan disa pyetjeve të tjera, se si infeksioni mund të transmetohet apo parandalohet.
Gati 7 në 10 gra (68%) dhe 62% e burrave të moshës 15-49 vjeç kishin dijeni që përdorimi i prezervativëve mund të ulë rrezikun për HIV.
Po ashtu, 73% e grave dhe 63% e burrave e dinin që kufizimi i kontakteve seksuale me një partner të vetëm pa HIV mund të ulë rrezikun për HIV. Më shumë se 8 në 10 gra (84%) dhe meshkuj (83%) ishin në dijeni të të dyja këtyre metodave parandaluese. 6 në 10 gra përmendën si përdorimin e prezervativëve ashtu edhe kufizimin e kontakteve me një partner të painfektuar si mënyra për të parandaluar transmetimin e HIV.
Niveli i ndërgjegjësimit rritet dukshëm me nivelin e arsimimit si te gratë ashtu edhe burrat. 98% e grave me universitet ose arsim më të lartë kishin njohuri mbi HIV/AIDS, krahasuar me 34% të grave me arsim 4-vjeçar ose pa arsim fare. I njëjti raport vihet re edhe te burrat me arsim të lartë (90%), krahasuar me ata me arsim 4-vjeçar (32%).
Më shumë burra dhe gra në zonat urbane kishin dëgjuar për HIV/AIDS (90% dhe 82%, respektivisht) se gratë dhe burrat në zonat rurale (80% dhe 77%, respektivisht).
ADHS 2017-18 përfshiu pyetje për vlerësimin e keqkuptimeve më të përhapura në lidhje me AIDS dhe transmetimin e HIV. Të intervistuarit u pyetën nëse, sipas tyre, është e mundur që një person, në dukje i shëndetshëm, të ketë virusin e AIDS. Ata u pyetën edhe nëse mund të merret AIDS nga shtrëngimi i duarve ose përqafimi me një person me HIV, ose duke prekur apo ndarë ushqimin me një të infektuar me HIV.
Rezultatet tregojnë se shumë shqiptarë në moshë të rritur nuk kanë dije të sakta për rrugët e transmetimit së virusit të AIDS. Vetëm ¾ e grave (66%) dhe 48% e burrave e dinin që një person në dukje i shëndetshëm mund të infektohet me virusin HIV. Po ashtu, më pak se gjysma e të intervistuarve, 46% gra dhe 42% burra e dinin që një person nuk mund të infektohet duke ndarë ushqimin me një person me HIV./ JoTabu.al

Leave a Reply