Myku vaginal, si ndikon higjiena, veshja dhe mënyra si ushqehemi
Bisedoi: Elona Tereziu
Infeksionet vaginale janë ndër sëmundjet më të zakonshme gjinekologjike tek femrat.
Lindita Myzyri, mjeke gjinekologe pranë Qendrës Shëndetësore Nr.3, Tiranë tregon për Jo Tabu se në çdo vizitë gjinekologjike që bëhet tek femrat, pothuajse të gjitha e kanë një mykozë vaginale.
Shkak për shfaqjen e këtyre infeksioneve janë mënyra e gabuar e veshjes, të brendshme sintetike, tanga, apo pantallona tepër të ngushta. Gjithashtu një rol të rëndësishëm luan edhe higjiena, mënyra se si lahemi apo ushqyerja jo e shëndetshme.
Duke folur për këta probleme, ajo jep disa këshilla mjaft të vlefshme që duhet të dijë çdo femër për kujdesin e organit të saj, që nga higjiena personale, rëndësia e shpëlarësve natyral, si soda e bukës, pecetat ditore apo rëndësia e konsumimit të ujit, si një faktor më i rëndësishëm në minimalizimin e shfaqjes së mykut vaginal.
Sa problem është myku vaginal tek femrat sot?
Për të qenë realiste, pothuajse në të gjitha vizitat që bëhen të gjitha femrat e kanë një mykozë vaginale. Një ndër arsyet është prishja e pehashit të vaginës, nga pehash alkalin kthehet në pehash acid. Por, çfarë e shkakton prishjen e pehashit? Ne kemi bacilet e doderlein të cilat na ruajnë pehashin e vaginës, nëse bacilet e doderlein shtohen për arsye të ndryshme, atëherë na kthehet nga pehash alkalin në pehash acid.
Një ndër arsyet kryesore është mënyra se si lahemi. Femrat përdorin ujë të nxehtë nga poshtë, që është shumë e gabuar, duke prishur në këtë mënyrë mukozën e vaginës. Edhe kur urinon femra duhet të lahet me ujë të rrjedhshëm nga çezma dhe me sapun (mundësisht sapunin që përdor për fytyrën).
Përdorimi i dorës. Dora nuk përdoret asnjëherë nga para mbrapa, mbrapa para, por me një dorë lajmë organin gjenital dhe me dorën tjetër duhet të lahemi nga pas. Kjo është e
detyrueshme, në rast të kundërt mikrobet do të qarkullojnë, do bëhet një cikël vicioz dhe asnjëherë nuk do arrijnë të shërohen.
Pehashi i vaginës prishet edhe në raste të tjera kur bie imuniteti në përgjithësi i organizmit për arsye nga më të ndryshmet, sëmundje, një virozë apo një problematikë tjetër që është në organizmin e femrës.
Prishet gjithashtu kur femra është duke përdorur antibiotik për sëmundje të ndryshme dhe nuk e shoqëron atë qoftë me vitaminoterapi apo qoftë me përdorimin e ndonjë
antimykotiku.
Cilat janë simptomat e mykut vaginal?
Simptomat fillojnë nga më të thjeshtat dhe nëse nuk mjekohen ato rëndohen. Fillimisht ndryshon ngjyra e sekrecionit vaginal. Normalisht çdo femra ka sekrecione vaginale, por që janë të pastra, pa ngjyrë dhe pa erë.
Në periudhën e ovulacionit, kur femra ka ciklin ovulator, pra ditët fertile që mbetet shtatzënë, ato janë pak më të ujshme, por pa ngjyrë dhe pa erë, ndërsa në ditët e tjera janë pak më të trasha, por përsëri pa ngjyrë dhe pa erë. Kur fillon myku, ndryshon ngjyra, ndryshon dhe era e sekrecioneve, bëhen më të trasha, bëhen me ngjyrë më të bardhë, sepse nuk kemi vetëm mykun, kemi edhe shtimin e baktereve në varësi të të cilave ndryshon edhe ngjyra e sekrecionit vaginal. Pra kemi shtimin e sasisë së sekrecionit, kemi ndryshimin e ngjyrës, kemi erën dhe fillon dhe pruriti apo kruarja e organit.
Si ndikon mënyra e veshjes në shtimin e këtyre infeksioneve?
Sot është bërë e modës, sidomos tek vajzat e reja, përdorimi i të brendshmeve sintetike, në formë tangash apo përdorimi i pantallonave shumë të ngushta.
Përdorimi i mbathjeve sintetike apo tip tange është një ndër faktorët që bëhet shkak për ndryshimin e pehashit të vaginës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të brendshmet të jenë pambuk dhe vetëm pambuk, në mënyrë që të bëhet ajrosja e mirë e organit gjenital.
Sa shpesh duhen ndërruar të brendshmet?
Kjo është dhe pak personale, nuk mund t’i ndërrojmë dy tre herë në ditë, por një herë të paktën është e domosdoshme dhe e padiskutueshme. Flas në kushte normale, sepse një femër që ka sekrecione të shtuara sigurisht që duhet t’i ndërrojë më shpesh.
Po mënyra e larjes së të brendshmëve, çfarë rëndësia ka?
E mira do të ishte që të mos trazohen rrobat në shtëpi, domethënë të brendshmet e asaj femre që e ka filluar jetën seksuale me të asaj që nuk e ka filluar ende apo nuk i ka ardhur cikli menstrual. Megjithatë kjo nuk ka fare rëndësi nëse i lajmë në mënyrën e duhur që do të thotë para se t’i fusim në lavatriçe i vendosim për 10 minuta në klor të holluar (acce) 1/10 dhe çdo lloj mikrobi zhduket.
Përdorimi i pecetave ditore ose atyre të zakonshme?
Në kohën e ciklit menstrual përdorimi i linesit shkakton myk tek femrat. Linesi nuk e thith mirë hemorragjinë dhe organi rri i lagësht duke favorizuar mykun. Unë i këshilloj gjithmonë të gjitha femrat që mbi lines të mbajnë gjithmonë një napë që organi të mos jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me linesin.
Shumë femra përdorin dhe shpëlarës (intimo).
Sa i rekomandoni ato?
Që të përdorësh një shpëlarës duhet të dish pehashin, jo të marrësh një shpëlarës boll çfarëdo apo një intimo nga poshtë. Duhet ditur patjetër pehashi të jetë alkalin, por që që të dish të marrësh atë shpëlarës me pehash alkalin duhet të bësh një analizë për të ditur si e ke pehashin e vaginës tënde. Unë personalisht nuk i rekomandoj kurrë shpëlarësit por vetëm ujin e zakonshëm dhe sapunin që femra përdor për fytyrën. Vetë urina është acide dhe nëse ne nuk shpëlahemi mirë dhe me sapun, qëndrimi i saj nëpër buzët e vaginës bëhet shkak për myk.
Po mënyra se si ushqehemi, çfarë rëndësie ka?
Shumë e rëndësishme dhe mund të them se një pjesë e të rinjve ushqehen keq, me fastfode.
Duhet patjetër të marrin të gjithë proteinat, yndyrat, karbohidratet, kripërat minerale që ne i marrim vetëm nëpërmjet një ushqyerje të shëndetshme, që do të thotë të hamë të gjitha llojet e perimeve dhe zarzavateve sigurisht dhe frutat. Shumë i rëndësishëm është përdorimi i ujit, deri në 2 litra ujë në ditë, i cili ndikon shumë pozitivisht në minimalizimin e mykut dhe ruajtjen e funksionit të organizmit.
Mjeken mund ta gjeni pranë Qendrës Shëndetësore nr. 3, Bulevardi Bajram Curri, Tiranë.


Leave a Reply