Mbështetja për përmirësimin e infrastrukturës së shkollës ndikon në rritjen e aksesit në edukim dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies
Investimet në arsimimin e nxënësve janë shumë të rëndësishme të kryhen ndër vite dhe ndër breza. Prej kushteve më të mira infrastrukturore dhe përmirësimeve në mësimdhënie, përfitues nuk është vetëm brezi aktual i nxënësve, por dhe brezat e ardhshëm, shoqëria dhe shteti.
Qendra TED po zbaton projektin “Fuqizimi i aftësive advokuese të nxënësve dhe përfshirja e tyre në evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës në shkollat e qarkut të Korçës” me mbështetjen e Lëviz Albania. Në kuadër të këtij projekti, nxënësit e 6 shkollave (në Pustec, Maliq dhe Korcë), arritën të artikulojnë nevojat infrastrukturore të shkollës së tyre, plotësimi i të cilave do të ndikonte në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies.
Disa prej investimeve infrastrukturore në shkollë që kanë nevojë për vëmendjen dhe ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, të identifikuara nga vetë nxnësit e shkollave janë si më poshtë:
- Investimet në sistemin e ngrohjes në shkollë, si një element shumë i rëndësishëm i infrastrukturës së një shkolle, pasi ndikon drejpërdrejtë në shëndetin e nxënësve dhe frekuentimin e shkollës nga ana e tyre.
- Investimet në restautrime, ri/ ndërtime apo mirëmbajtje të shkollave.
- Ambientet sportive në shkollë (Gjendja e fushave sportive, paisjet e nevojshme për të zhvilluar aktivitetet sportive, si topa, porta futbolli, kosha basketbolli, rrjeta volejbolli etj, ambientet e brendshme – palestrat, pajisjet e palestrës etj).
- Laboratorët e shkollave, si laboratori i bio-kimisë (ambjenti, pajisjet, mirëmbajtja), laboratori i informatikës (ambjenti, kompjuter, laptop, projektor, interneti, printer, fotokopje, mirëmbajtja).
- Pajisjet në shkollë si bankat, karriget, dërrasat etj.
Në secilën prej shkollave pilot të projektit, nxënësit arritën të shkruanin 2 projekt propozime për mbështetje në infrastrukturën e shkollës së tyre.
Në kuadër të projektit u financuan 6 projekt propozime (1 projekt në secilën shkollë). Konkretisht, financimet kontribuan në përmirësimet infrastrukturore në laboratorin e informatikës së secilës shkollë, duke i pajisur ato me:
- Kompjuterë (6)
- Laptop (1)
- Video projektor (1)
- Printer skan kopje (2)
6 projekt propozimet e tjera, u prezantuan pranë përfaqësuesve të bashkisë Korcë, Maliq dhe Pustec nga vetë nxënësit e shkollave që i shkruan ato. Tre takime advokuese u realizuan nga nxënësit e shkollave pilot të projektit me kryetarin e bashkisë (ose përfaqësues nga kabineti i kryetarit), stafin e shërbimeve sociale dhe arsimore, sektorin e rinisë, sektorin e financës.
Investimet në infrastrukturën shkollore janë kompetencë e njësisë së vetqeverisjes vendore. Marrja pjesë direkte e nxënësve në evidentimin e problemeve në infrastrukturën e shkollave të arsimit të mesëm publik, i bën këto nevoja prioritare për t’u përmbushur nga bashkia. Këto takime advokuese që u realizuan me stafin e Bashkisë Korcë, Maliq dhe Pustec, prioritizuan disa prej nevojave insfrastrukturore të shkollave, të lidhura kryësisht me:
- Laboratorët e bio-kimisë dhe informatikës;
- Ambjentet sportive;
- Sistemin e ngrohjes.
Në këto takime, përfaqësuesit e Bashkive dëgjuan me mjaft vëmendje nevojat infrastrukturore të shkollave të përcjella me vetë zërin e të rinjve dhe shprehën angazhimin e tyre maksimal për plotësimin e tyre nëpërmjet buxhetit të bashkisë.
Gjithashtu nxënësit e shkollave pilot, morën pjesë dhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, për t’u njohur më nga afër me mënyrën e funksionimin dhe marrjes së vendimeve të Këshillave, si një organ vendimmarrës, vendimet e të cilëve ndikojnë në jetën e qytetarëve.
Në këtë mënyrë, nxënësit janë bërë pjesë e gjithë ciklit të identifikimit të nevojave, artikulimit të tyre si dhe lobimit për plotësimin e tyre tek organet kompetente.
Leave a Reply