Martesa e vajzave, “Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe” mbledh bashkë të rinjtë në Lezhë
Gjatë vitit 2017, 3827 vajza u martuan pa mbushur moshën 19 vjeç. Kjo është e barabartë me 17 për qind të të gjitha martesave të shënuara vitin e kaluar. Edhe pse në vendin tonë është e ndaluar me ligj martesa nën 18 vjeç ende fenomeni është në shifra alarmante në zona të thella.
“Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe” është projekti më i ri i ndërmarrë me synim angazhimin e të rinjve në sport për ti bërë sfidë martesës së vajzave në moshë të hershme. Ky aktivitet i zhvilluar në Shkollën e Mesme të Bashkuar Pjeter Zarisht në zonën e Blinishtit në Lezhë, me qëllim angazhimin e të rinjve në sport për një jetë sa më të shëndetshme dhe active, ka bërë bashkë shumë të rinj të zonës.
Aktiviteti u organizua nga shkolla me valle dhe kërcime tradicionale të përgatitura nga vetë nxënësit e shkollës. Të gjitha kërcimet ishin të shoqëruara me veshje tradicionale të zonës për të promovuar dhe trashëguar traditat. Ndërkaq përgjatë aktivitetit janë luajtur role humoristike, përmes të cilave nxënësit nxorrën në pah fenomenin e martesave të hershme ndërsa u përpoqën që përmes ironizimit të përcjellin edhe mesazhe të forta për të sensibilizuar qytetarët.
Zona e Zadrimës njihet si zonë e qetë dhe arsimdashëse por fenomeni i martesave të vajzave në moshë të hershme i ka rrënjët e forta edhe në ditët e sotme. Prandaj UNFPA mbështet organizimin e aktiviteteve të tilla, për të ndryshuar mendtalitetin dhe për të orientuar të rinjtë sa më shumë drejt sportit dhe kulturës. Interesi i nxënësve për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe në aktivitete të tjera të ngjashme që do të zhvillohen në të ardhmen ka qenë i kënaqshëm.
Aktiviteti u zhvillua nga UNFPA, në bashkëpunim me KOKSH në kuadër të 50 vjetorit të UNFPA dhe 25 vjetorit të konferencës ndërkombëtare për popullsinë dhe zhvillimin. Në emer të UNFPA ka mbajtur fjalën e saj përshëndetëse Elsona Agolli dhe Viron Bezhani i KOKSH, të cilët ndër të tjera folën edhe për qëllimin e këtij projekti, me në fokus angazhimin dhe argëtimin e të rinjve përmes disa aktiviteteve të planifikuara.

Leave a Reply