Kur gripi rrezikon jetën? Mjekët bëjnë thirrje: Mos i injoroni këto shenja
Rasti i konfirmuar me meningjit dhe dy raste të tjera të dyshuara kanë rritur frikën dhe panikun në popullatë. Shefja e shërbimit të sëmundjeve infektive, profesoreshë Najada Como, qetëson qytetarët duke u shprehur se nuk ka vend për panik.
Por, duhet që familjarët të tregohen të kujdesshëm që të mund të dallojnë simptomat e meningjitit tek një i afërm i tyre, duke qenë se shenjat janë të njëjta me infeksionet virale.
“Ka një person që vuan nga meningiti, me temperaturë të lartë, dhimbje koke, të vjella dhe intolerancë nga drita. Deri këtu janë shenja që ti orientohesh nga ana mjekësore. Ajo që duhet të dyshosh ti si familjar për të sëmurin që ke, është që për temperatura të larta që nuk dominohen nga dhënia e barnave që e ulin duhet të shkoni në spital për vizitë ”.
Mjekët sqarojnë se kur prekemi nga infeksionet virale nuk duhet t’i neglizhojnë por të paraqitemi tek mjeku i familjes, pasi bakteri gjen terren të përshtatshëm. Çomo thekson se gripi nuk duhet neglizhuar pasi një ndër komplikacionet e tij është meningjiti viral, cili shkakton humbje jete.
“Vetë gripi mund të japë meningite, pneumonite virale, prekje të muskujve të zemrës, miokarditi. Meningiti me natyrë virale mund të duket më i lehtë, por në raste më të veçanta mund të jenë të rënda dhe të cenojnë jetën e një personi”.
Për sa i përket situatës gripale, mjekët thonë se jemi në një situatë më të lehtë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar përsa i përket numrit të të prekurve, por qytetarët duhet të bëjnë kujdes me higjenën personale, me shmangien e grumbullimeve, pasi fundi i janarit mund të sjellë një numër në rritje të personave të prekur./Burimi: TCH
Leave a Reply